Nga Gjergj Vyshka 11.02.2015 13:55
Një skuadër universitare nga Kina ka dhënë leksione basketbolli në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, ndërsa në kushtet e një të ftohti të acartë kanë fituar me 49 pikë diferencë ndaj Studentit. Skuadra e mbërritur nga Kina, që rikthen duelet miqësore me skuadrat e Kinës pas mëse 30 vjetësh, që nga koha e miqësisë me Mao Ce Dunin, është përfaqësuesja e Universitetit të Financës dhe Ekonomisë në Tianxhin.
Por ka mbërritur këtu për të lidhur urat e bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për rritjen e marrëdhënieve në fushën e arsimit të lartë dhe të kërkimeve shkencore. Dhe në fakt Universitetet nuk kuptohen vetëm si vende që do të nxjerrin kuadro të shkolluar, por dhe si mjedise të një zhvillimi të një niveli të lartë të sportit.
Për rrjedhojë skuadra e basketbollit të femrave të këtij Universiteti, pasi ka shkundur mirë përfaqësuesen e femrave të Universitetit të Sporteve në Tiranë, sipas informacioneve ka fituar me gati 20 pikë diferencë, 77-96, ka bërë të njëjtën gjë dhe me Studentin, që është mundur 44-93.
për Studentin e basketbollit të femrave s’është ndonjë risi humbja me mbi 30 pikë, ashtu sikurse nuk është risi kur fiton po me të njëjtën diferencë pikësh. Por e djeshmja me Universitetin e Tianxhinit ishte një leksion në tërësi për të gjithë basketbollin e femrave në vend që ka mbetur shumë prapa nga bota, ashtu sikurse dhe ai i meshkujve.
Pasi Universiteti i Tianxhinit dje nuk ka rrahur thjesht Studentin, por përfaqësinë më të mirë të basketbollit të femrave. Dhe kjo pastaj jo vetëm që nuk lë shumë vend për koment, por dhe është një mesazh për një shkundje totale të komunitetit të basketbollit. Sepse dhe dje u vërtetua që nuk jemi asgjëkundi…