Gjergj Vyshka 25.03.2016 08:45
Fushata për zgjedhjet e reja në Federatën Shqiptare të Basketbollit, të cilat do të zhvillohen më 30 mars në Korçë, tashmë është në kulmin e vet. E më së fundi ka folur edhe presidenti aktual i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, i cili për herë të parë në këtë fushatë zgjedhore ka zgjedhur ekranin e ABC Neës për të parashtruar programin e tij, ndërsa të hënën pritet të jetë në ekranin e RTSH-së, në rubrikën “E Hëna Sportive”. Sipas Ponarit, Federata Shqiptare e Basketbollit në kohën që ka ardhur ai president ka qenë në një gjendje të mjerueshme.
“E kam gjetur, – thotë Ponari, – me ca zyra që nuk ishin zyra në Stadiumin “Qemal Stafa”. Në një zyrë ku jo vetëm nuk mund të punohej, por nuk mund të hyje, sepse ishte e gjitha me lagështirë. Pra ishte në një gjendje skandaloze. Por edhe më keq. Federata Shqiptare e Basketbollit ishte debitore rreth 30 milionë lekë të reja. Gjithçka ishte e mbytur, e rënduar. Bëhet fjalë përpara 8 viteve kur kam marrë për herë të parë mandatin. Në vazhdim, Federata jonë ishte e para që iu përshtat Ligjit për Sportin dhe ndërtoi strukturën organizative duke i kthyer të gjithë anëtarët e saj në shoqata”.
Por Ponari këmbëngul në atë që ka thënë edhe në dhjetor në Asamblenë vjetore të zhvilluar në mjediset e Hotel “Sky Tower”. Pra një basketboll si një produkt i shitshëm. “Ky është synimi ynë që të krijohet një produkt e ky të jetë basketbolli shqiptar, që e drejta televizive të shitet e që basketbolli të mbijetojë”, thotë Ponari, i cili ka treguar dhe arsyet pse ka financuar SIGAL Prishtinën. “Duke mbështetur SIGAL Prishtinën unë krijova një emër në Prishtinë, një emër në Kosovë, – ka theksuar ai. – Natyrisht kam një kënaqësi, por edhe mbështetje financiare jo individuale.”
“Unë kam bërë një produkt dhe sot i gëzohem këtij produkti”, – shtoi biznesmeni. Duke mbetur tek programi i tij, Ponari do të vinte në pah: “Thelbi është që ne po krijojmë një platformë që basketbolli të vetëushqehet, të vetëadminstrohet, të vetë krijojë burime financiare. Sepse basketboll pa para nuk mund të ndërtosh. Një arsye që ne vazhdojmë të këmbëngulim për të vazhduar punën tonë është pjesëmarrja e shtatë ekipeve kombëtare sivjet në Elimintatoret e Evropianit”, – ka përfunduar Ponari, i cili duket se do ta ketë një mbështetje të madhe në fushatën e tij ardhjen e presidentit të Federatës Evropiane të Basketbollit, Turgai Demirel.