Gjergj Vyshka 25.06.2016 16:25
Në të njëjtën kohë, edhe duke qenë se veprimtaritë ndërkombëtare të basketbollit janë në prag, është bërë dhe plotësimi i stafeve të ekipeve kombëtare. Kështu për Nën-16-vjeçarët djem, në krye do të jetë Spiro Koleka, Nën-16-vjeçaret vajza, Valbona Sako, Nën-18-vjeçarët djem, Ilir Taflaj, Nën-18-vjeçaret vajza, Bashkim Milo dhe Nën-20-vjeçarët djem, Arqile Gorea. Por përtej kësaj kombëtarja e vajzave Nën-16-vjeçare dhe Nën-18-vjeçare do të jetë e mbuluar direkt nga presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.
E duke qenë se të gjithë janë fëmijë, të cilët kërkojnë një leje të posaçme për të lëvizur, atëherë është kërkuar që edhe roli i prindërve në këto kombëtare të jetë kryesor. “Është propozuar për t’i bërë thirrje për mbështetje prindërve të fëmijëve pjesëmarrës në këto veprimtari, sepse konsiderohen partnerë të kësaj lëvizjeje shumë të madhe basketbollistike duke siguruar mbështetje financiare për fëmijët e tyre për akomodim gjatë periudhës së grumbullimit sipas mundësive që ato kanë dhe të vetë menaxhuara prej tyre”, – ka deklaruar Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Basketbollit.
“Kjo nismë, fillimisht e presidentit dhe e përkrahur nga të gjithë anëtarët, vlen si thirrje për solidarizim dhe dhënie kontributi për ecurinë e ekipit duke ditur që FSHB është në vështirësi financiare herë pas here”, – ka shtuar Federata Shqiptare e Basketbollit. E deri më tani kësaj thirrjeje i janë përgjigjur presidenti Ponari, anëtari i kryesisë Ilir Taflaj, si dhe Arqile Gorea, por jo vetëm kaq, por janë vetëofruar disa persona të tjerë (prindër), ndërsa kontributet e tyre do të reklamohen në ditët në vazhdim. Sakaq, u është kërkuar shoqatave që të sjellin propozimet e tyre për komisionet e më pas ato do të miratohen në kryesi.