Gjergj Vyshka 29.09.2015 14:35
Eqerem Muharremi dhe Shefqet Veliu, dy prej ikonave të basketbollit shqiptar të viteve 60-80, janë nderuar nga komuniteti i koshit vlonjat me Kupën “Çamëria”. Veprimtaria u organizua nga gazetari sportiv, Moisi Dalipi, dhe gjithçka ka qenë në kuadrin e të gjitha veprimtarive që po zhvillohen në vendin tonë për të nderuar e vlerësuar figurat e sportit çam.
Në ceremoninë e zhvilluar në Pallatin e Sportit “Flamurtari” kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Basketbollit, mes tyre edhe Sekretari i Përgjithshëm, Korab Llazani. Eqerem Muharremi e ka nisur veprimtarinë sportive në vitin 1966 me Flamurtarin. Më pas, më 1968 ka luajtur në Durrës, me Lokomotivën, për t’u kthyer përsëri në Vlorë.
Ndërkohë Shefqet Veliu është basketbollist i viteve 1967-1980 dhe vjen nga një familje sportistësh. Bashkëshortja e tij Shpresa Veliu ka qenë kampione në not, ndërsa i nipi, Franc Veliu, luan me Flamurtarin. Në ceremoninë e ndarjes së vlerësimeve, gazetari Moisi Dalipi, vlerësoi rolin dhe kontributin e ish-basketbollistëve Muharremi dhe Veliu, ndërsa permendi edhe basketbollistët çamë të atyre viteve si Lumturi Resuli, Fero Isufi, Feride Mustafaraj.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, e ka vlerësuar si një ceremoni domethënëse, e cila vjen në një ditë të veçantë dhe të shënuar. Në këtë ceremoni nuk kanë munguar as këngët e as vallet çame. Pjesë e ceremonisë ka qenë edhe një ndeshje mes veteranëve.