AlbanianSport.com 09/01/2017 09:45
ASNN – Zyrtari i FSHB-së: “Jo vetëm që ka masivitet, por tashmë funksionon dhe kombëtarja e moshës deri në 12 dhe 14 vjeç. Ideja mbështetet dhe nga Ponari.” Elton Saliaga, ish-lojtar i Partizanit, Tiranës, Dinamos, Valbonës, Teutës, basketbollist me shumë trofe kombëtar, tashmë është në rolin e inspektorit në Federatën Shqiptare të Basketbollit. Më tepër se gjithçka tjetër është duke u intriguar zhvillimi i turneve rajonal për moshat 12 dhe 14 vjeç.
E kjo në të gjithë Shqipërinë, që nga Tirana, Kamza, Shkodra, Durrësi, Fieri, Vlora, Elbasani e deri në Korçë. Por jo vetëm kaq, turne të tilla zhvillohen dhe për moshën deri në 12 vjeç, ndërsa tashmë funksionojnë dhe kombëtaret e këtyre moshave. Madje në fund të dhjetorit është zhvilluar dhe një ndeshje yjesh mes kombëtareve të këtyre moshave, të cilat janë drejtuar nga Elvis Ismeti, Vladimir Xheka, Geraldi Osmani dhe Altin Cico.
Dhe Saliaga, inspektori i Federatës Shqiptare të Basketbollit, por njëkohësisht dhe përgjegjësi i këtyre turneve rajonalë, do të tregonte se gjithçka është me mbështetjen e presidentit Avni Ponari. “Është vërtetë kënaqësi të merresh me këto mosha, – thotë ai. – Ka masivitet, që garanton të ardhmen e basketbollit dhe të gjithë duan të merren me këtë sport.”
“E kemi bërë në të gjithë Shqipërinë dhe mendoj se janë veprimtari që ndihmojnë në rritjen e nivelit të basketbollit shqiptar”, thotë Saliaga. Ndërkohë pyetjes se a do të vijojnë këto turne nëpër Shqipëri, Saliaga do t’i përgjigjej: “Sigurisht që po. Madje do të jenë dhe gjithëvjetore, aq më shumë që kanë edhe mbështetjen e presidentit Ponari. Mos harroni që kemi ngritur dhe kombëtaret e këtyre moshave, të cilat do t’i shërbejnë qëllimit për të furnizuar ekipet e zinxhirit në basketbollin shqiptar.”
“Ndaj dhe ndihem mirë që po merrem me këto turne moshash për fëmijët në basketboll”, – ka përfunduar inspektori i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Elton Saliaga. Në këtë mënyrë, basketbolli vazhdon të ketë një veprimtari gjithëvjetore, që nis me Nën-10, Nën-12 dhe Nën-14-vjeçarët, por dhe Nën-16-vjeçarët dhe Nën-18-vjeçarët, si kampionatin e të rriturve dhe të rriturave.