Gjergj Vyshka 27.03.2016 07:05
I pari i Evropës së koshit është pritur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, kryetarët e Bashkive të Tiranës dhe Durrës. Premtimi i Veliajt: Do ta bëjmë Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Turgai Demirel, presidenti i Federatës Evropiane të Basketbollit, ashtu sikurse kishte premtuar dje ka qenë për vizitë në Tiranë. Ai është pritur në Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, Sekretari i përgjithshëm Korab Llazani, por dhe figurat e basketbollit shqiptar Kostandin Shkurti dhe Ilir Trebicka.
E ashtu sikurse ishte parashikuar në ora 08:00 ka qenë në Rinas e një orë më vonë ka parë Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, një ngrehinë e dekompozuar, e dalë boje dhe fare pa dinjitet për sportin shqiptar. E mandej ka qenë në takim me ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla. Por dhe me kryetarët e Bashkive të Tiranës, Erjon Veliaj, dhe të Durrësit, Vangjush Dako. Madje në mesditë ka qenë i pranishëm fare për pak në sallën sportive “Fahrie Hoti” të kryeqytet, ku po luhej sfida kryesore, Tirana-Flamurtari, në basketboll për femra.
E në mbrëmje ka qenë i pranishëm në ndeshjen e basketbollit të meshkujve, Teuta – Kamza Basket. Të paktën edhe sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ka premtuar ribërjen e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Sepse duke parë pallatet e Sportit në Shqipëri për të gjitha nevojat që ato kanë, Federata Evropiane e Basketbollit jo vetëm ka premtuar mbështetje, por dhe organizim veprimtari ndërkombëtare në vendin tonë.