AlbanianSport.com 16.02.2016 17:10
ASNN – Ka shumë mundësi që trajneri i SIGAL Prishtinës, qiprioti Antonis Konstantinides, të udhëheqë përfaqësuesen e Shqipërisë në basketboll për meshkuj gjatë eliminatoreve të “Eurobasket 2017”. Lajmi është bërë i ditur të hënën nga mediat sportive shqiptare, kurse vetë Konstantinides ka konfirmuar se ka pasur një takim me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Kombëtarja shqiptare këtë vit do të marrë pjesë në Eliminatoret e “Eurobasket 2017” pas një ndërprerjeje dyvjeçare. Shqipëria bën pjesë në Grupin F, së bashku me Gjeorgjinë, Malin e Zi dhe Sllovakinë. Ndeshjet eliminatore do të nisin më 31 gusht 2016 dhe do të përfundojnë me 17 shtator po të këtij viti. Sipas mediave shqiptare, FSHB-ja e sheh Konstantinidesin si njeriun e duhur për ta drejtuar ekipin në Eliminatore.
Raportohet se tashmë edhe kanë filluar negociatat, por Konstantinides për të përditshmen e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”, ka thënë se është në pritje të propozimit nga Shqipëria. “Po, është e vërtetë se Federata e Basketbollit të Shqipërisë është e interesuar që të jem trajner i ekipit në Eliminatoret e “Eurobasket 2017”, – ka pohuar qiprioti.
“Kam pasur një takim me presidentin e Federatës së Basketbollit të Shqipërisë (Avni Ponari) dhe jam në pritje të propozimit zyrtar nga ana e tij, – ka vijuar Konstantinides për të përditshmen në fjalë. – Fillimisht më duhet të shoh propozimin dhe pastaj do të vendos.” Emri i qipriotit është i dyti që përmendet në lidhje me stolin e Kombëtares së Shqipërisë në basketboll për meshkuj.
Në fund të janarit, u raportuar se edhe Petar Mijoviç, trajneri i Bashkimit të Prizrenit, është kandidati për kombëtaren e Shqipërisë në basketboll për meshkuj. Sipas tij, Federata Shqiptare e Basketbollit i ka bërë ofertë malazezit, që e ka konfirmuar një gjë të tillë. “Kam marrë ofertë nga Shqipëria që ta drejtoj ekipin kombëtar të tyre gjatë eliminatoreve”, – ka thënë ai për të përditshmen kosovare “Zëri”.
“Por fillimisht duhet të bisedoj me drejtuesit e klubit të Bashkimit dhe të marr edhe një mendim nga këta të fundit”, – ka shtuar për “Zërin” Mijoviç, i cili druan se edhe nëse e pranon ofertën nga Tirana nuk do të ketë kohë të mjaftueshme në dispozicion për ta përgatitur mirë ekipin. Mbetet tanimë për të parë se cili do të jetë kandidati që do të përzgjedhë presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.