Gjergj Vyshka 11.03.2016 22:55
Duke qenë se Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse në të gjitha nivelet e basketbollit ndërkombëtar, atëherë kryesia do të mblidhet për të zyrtarizuar trajnerët e moshave. Shqipëria merr pjesë sivjet nga data 17, deri më 24 korrik 2016 me Nën-16-vjeçarët djem, në Nikozia të Qipros, ndërsa në grupin B do të ketë kundërshtar Gjibraltarin, Moldavinë, Armeninë dhe Andorrën.
Për Nën-16-vjeçaret vajza, në Divizionin B do të jetë në Oradea të Rumanisë, nga data 5, deri 14 gusht 2016, përballë Danimarkës, Ukrainës, Greqisë, Luksemburgut dhe Islandës në grupin B. Për Nën-18-vjeçarët djem, gjithnjë në Divizionin B, në Shkup të Maqedonisë, nga data 29 korrik, deri më 7 gusht 2016, kuqezinjtë do të kenë në grupin D kundërshtarë Anglinë, Sllovakinë, Skocinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Kurse për vajza Nën-18-vjeçaret, gjithnjë në Divizionin B, në Sarajevo të Bosnjë-Hercegovinës, nga data 23, deri më 31 korrik 2016, shqiptaret do të jenë në grupin B përballë Danimarkës, Bjellorusisë, Ukrainës dhe Polonisë. Dhe, në fund është kombëtarja e Nën-20-vjeçarëve, që merr pjesë në Divizionin B në Halkidhiki të Greqisë.
Nga data 15, deri më 24 korrik 2016, kuqezinjtë do të kenë kundërshtarë Britaninë e Madhe, Greqinë, Holandën, Kosovën dhe Irlandën. “Pak a shumë janë caktuar trajnerët, ka thënë Ponari, në përgjigje të interesimit të mediave në lidhje me trajnerët e moshave. – Kemi dhe disa dyshime të vogla. Për këto do të mblidhet kryesia dhe do të vendosi përfundimisht për ta.”