Gjergj Vyshka 21.02.2015 18:20
Tirana në basketboll për meshkuj, e drejtuar nga Bujar Shehu, ndërsa në krye të delegacionit bardheblu ka qenë shefi i Klubit Shumësportësh, Sokol Kasmi, i ka kthyer vizitën klubit kosovar “Golden Eagle” Ylli. Rreth një muaj më parë, skuadra e drejtuar nga Agron Berisha ka qenë në Sallën Sportive “Farie Hoti”, atje ku Tirana pati fituar në kohë shtesë 87-83.
Në fakt ky kthim i vizitës së Tiranës ka qenë edhe si një ndeshje humanitare, të cilën fondacioni “Golden Eagle”, në bashkëpunim me ekipin e basketbollit të të njëjtit emër e kishin organizuar të mërkurën në mbrëmje në Therandë. Në këtë ngjarje, përveç skuadrës vendëse të “Golden Eagle” Ylli dhe Tiranës, ka qenë e pranishme edhe skuadra e veteranëve të Kosovës.
Ndeshja ndërmjet veteranëve të Kosovës dhe veteranëve “Golden Eagle” Ylli përfundoi me rezultatin e barabartë, 74-74, por më pas drejtuesit e të dy skuadrave vendosën të mos e luanin kohën shtesë. Kurse ndeshja ndërmjet “Golden Eagle” Ylli dhe Tiranës përfundoi me rezultatin 86-83 për vendësit. Në këtë ndeshje, trajneri Agron Berisha i dha mundësi të luajnë të gjithë basketbollistëve që i kishte në dispozicion.
Në këtë mbrëmje humanitare u organizua garë edhe në gjuajtje për 3 pikë dhe në zhytje në kosh. Fitues për tre pikë ishte Egzon Kuçi, ndërsa në zhytje ishte Çarls Hamurk. Për të argëtuar të pranishmit në palestër u përkujdes këngëtari “2 Ton” dhe Adelina Berisha. Pas përfundimit të ndeshjes u ndanë mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit, që nderuan këtë mbrëmje, ndërsa lojtari i ndeshjes u shpall amerikani i “Golden Eagle” Ylli, Çarls Hamurk.