Gjergj Vyshka 23.03.2017 18:55
Ervin Koçi, Juel Jarani dhe Andrea Troja janë nismëtarët e Kampionatit të Djemve të moshës deri në 14 vjeç në Basketboll, që do të quhet “Tirana 2017”. Një veprimtari që do të ketë mbështetjen e Federatës Shqiptare të Basketbollit, në mënyrë të veçantë, të presidenti Avni Ponari.
E kjo nismë është në sezonin e saj të katërt, ndërsa veprimtari është dhe në bashkëpunim me Universitetin e Sporteve në Tiranë. Madje do të jetë dhe një promovim për gjyqtarët e rinj, pse jo dhe për t’i zgjuar dëshirën të rinjve të tjerë për t’u marrë me gjykimin në basketbollin shqiptar.
Organizatorët tregojnë se vitin e kaluar janë afruar disa gjyqtarë të rinj, të cilët sivjet janë duke gjykuar tek paratërinjtë, apo dhe të rinjtë. Kjo veprimtari ka për qëllim zhvillimin e sa më shumë ndeshjeve të basketbollit për këtë moshë, ndërsa të gjithë do të kenë mundësinë e shpalosjes së talentit.
Në këtë kategori do të marrin pjesë lojtarë të grupmoshës së ditëlindjes 1 janar 2003 e më tej. Më parë, këtë kupë e kanë marrë “Superior Klima” më 2012-ën dhe 2014-ën dhe “Sonia Basket”, më 2015-ën. Në garë do të jenë 12 skuadra, të cilat për 11 javë do të luajnë me sistemin vajtje-ardhje e më pas katër të parat do të luajnë për fitimin e trofeut.
Pra do të jenë 180 fëmijë në lojë dhe 69 ndeshje për t’u luajtur. Tashmë është duke u menduar dhe një veprimtari e tillë për Nën-10 dhe Nën-12-vjeçarët.