AlbanianSport.com 06.07.2015 14:40
ASNN – Programi për çertifikimin e trajnerëve të moshave, i organizuar në kuadrin e Solidaritetit Olimpik nga Federata Shqiptare e Basketbollit, në bashkëpunim me Federatën Botërore të Basketbollit, ka sjellë në Tiranë specialistin e FIBA-s, Paskal Mërs. Duke folur për AlbanianSport.com, trajneri belg ka vlerësuar potencialin e basketbollit shqiptar të moshave dhe përkushtimin e trajnerëve të rinj, ndërsa ka theksuar se strategjia e zgjedhur nga Federata Shqiptare për rindërtimin e Kombëtares nëpërmjet ekipeve të moshave, është ajo e duhura.
Pas një vizitë pune njëjavore që bëri në prill, Specialisti i Federatës Botërore të Basketbollit, Paskal Mërs, ka qenë sërish në Shqipëri, për të kurs 7-ditor për trajnerët e ekipeve të moshave. Duke folur ekskluzivisht për faqen tonë sportive, trajneri belg ka vlerësuar potencialin e basketbollit shqiptar të moshave dhe përkushtimin e trajnerëve të rinj. “Unë kam qenë në Shqipëri në prill, ku krijova një ide për basketbollin tuaj dhe u ktheva pas dy muajsh, për këtë kurs njëjavor”, – ka thënë Mërs.
“Dhe mund të them se më ka bërë përshtypje përshkushtimi dhe dëshira e trajnerëve të rinj për të mësuar dhe për t’ua përcjellë këto dije fëmijëve dhe të rinjve”, – ka vijuar ai. Mërs ka vlerësuar se strategjia e zgjedhur nga Federata Shqiptare e Basketbollit për rindërtimin e Kombëtares nëpërmjet ekipeve të moshave, është ajo e duhura. “Unë e mbështes këtë ide, duke qenë se Federata Shqiptare e Basketbollit ka një buxhet të kufizuar”, – ka thënë holandezi me pasaportë belge.
“Prandaj, është shumë më e leversisshme të zgjedhësh ta ndërtosh kështu të ardhmen e Kombëtares, pasi vetëm kështu kjo e ardhme është e qëndrueshme dhe që garanton vazhdimësinë, – ka vijuar ai. – Kam parë fëmijë këtu që e dashurojnë basketbollin dhe besoj se, me një kontingjent të tillë të pasur në nivel moshash, basketbolli shqiptar jo vetëm që ka shpresë, por është edhe premtues.” Programi për çertifikimin e trajnerëve të moshave është organizuar në kuadrin e Solidaritetit Olimpik nga Federata Shqiptare e Basketbollit, në bashkëpunim me FIBA-n.