Gjergj Vyshka 18.09.2015 10:45
Short dhe testim gjyqtarësh dhe komisarësh, kështu basketbolli shqiptar nis sezonin 2015-2016. Mes shumë skuadrave të munguara, ajo që habit është dalja nga gara e nënkampioneve të Apolonisë, ndërsa Bashkia Fier nuk merr përsipër as skuadrën, por as përfundimin e Pallatit të Sportit. Short i kampionatit dhe testim gjyqtarësh dhe komisarësh në fundjavë.
Kështu nis sezoni i ri për basketbollin shqiptar, ndërsa sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Koshit, Korab Llazani, ka lajmëruar se të premten në ora 13:00, në mjediset e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” do të bëhet hedhja e shortit për kampionatin e ri. E kjo në prani të zyrtarëve të klubeve, të cilët më parë duhet të bëjnë dhe veprimet përfundimtare të regjistrimit të skuadrave të tyre.
Ndërkohë fundjava do të shënojë dhe testimin e gjyqtarëve dhe komisarëve, e cila do të nisë me anën teorike dhe më pas praktike. E pas shpjegimeve të ndryshimeve të reja në rregullore do të ketë një testim për të gjithë, i cili do të bëhet përsëri në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Ashtu sikurse është bërë e ditur dhe më parë, sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, dhe inspektori Andi Koçi javën e kaluar kanë bërë të gjithë inspektimin e Pallateve të Sportit.
Që nga Korça, Pogradeci, Elbasani, Përmeti, Vlora, Fieri, Durrësi, Tirana, Kamza e Kukësi janë fotografuar, dokumentuar për gjendjen reale, dhe shumë shpejt një relacion për gjendjen e tyre do t’i paraqitet kryesisë dhe kryetarëve të Bashkive. Por ka dhe absurditete. Nëse për meshkuj në A2 dihej që do të mungonte Apolonia dhe Studenti, për femra pas Përmetit është tërhequr dhe Apolonia.