AlbanianSport.com 30/01/2019 18:25
ASNN – Gjyqtarëve elitarë të basketbollit u shtohet “armata” me 12 të rinj, kurse teorike nga FSHB-ja. Federata Shqiptare e Basketbollit organizoi të martën një kurs teorik me gjyqtarët e koshit në Shqipëri, me qëllim përmirësimin e paraqitjes së tyre në parket, nisur nga përvetësimi i disa njohurive të reja në rregulloret e këtij sporti dhe menaxhimin me efikasitet të ndeshjeve të basketbollit në kampionatin shqiptar, sipas rrethanave që krijohen.
Gjyqtarët kanë treguar eksperiencat e tyre, kanë dhënë mendime dhe kanë shpalosur opinione për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me figurën e gjyqtarit dhe rolin e tij në rritjen e cilësisë sportive, si një komponent i rëndësishëm në një lojë të basketbollit. E veçanta e këtij kursi teorik është se gjyqtarëve elitarë dhe atyre me përvojë u janë shtuar 12 gjyqtarë të rinj të cilët synojnë të marrin eksperiencë dhe të zbatojnë në parket me më shumë profesionalizëm njohuritë e tyre në dhënien e drejtësisë sportive.
Së fundi, nuk duhet lënë pa përmendur se ky ishte vetëm një kurs teorik, por Federata Shqiptare e Basketbollit, sikurse e ka shprehur vetë në profilin e saj në rrjetet sociale, do të vijojë dhe me kurset fizike në terren, pra me testimin fizik, sepse edhe ky element ka shumë rëndësi për formimin e gjyqtarëve të rinj dhe rritjen e eksperiencës në aspektin menaxherial të takimeve të koshit në kampionatin shqiptar të basketbollit, në të gjitha kategoritë.