AlbanianSport.com 04/12/2018 22:55
ASNN – Shqipëria ka marrë të drejtën nga Federata Evropiane e Basketbollit, që të jetë organizatorja e Divizionit C të Kampionatit Evropian, veprimtari që zhvillohet në korrik të vitit të ardhshëm, midis 14 dhe 21 korrikut. Vendimin e ka marrë vetë organizmi që qeveris koshin evropiane, ndërsa pritet që, në vend të grumbullohen plot 10 ekipe që janë San Marino, Gjibraltari, Uellsi, Andorra, Malta, Austria, Armenia, Skocia, Azerbajxhani dhe kuptohet, Shqipëria, si organizatore e turneut.
Ndeshjet do të luhen në sallën sportive “Feti Borova” të “Parkut Olimpik” të Tiranës. Fakti që FIBA ia dha të drejtën Shqipërisë për të pritur Evropianin e moshës deri në 16 vjeç tregon lobimin e fuqishëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe veçanërisht të presidentit të saj, pronarit të “SIGAL”-it, Avni Ponari. Vetë presidenti është shprehur nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se kjo është një mundësi për basketbollin shqiptar dhe ka ftuar institucionet që ta mbështesin këtë veprimtari.
Sepse, sipas tij, si një mënyrë e mirë për të përmirësuar imazhin e basketbollit shqiptar dhe për të organizuar një veprimtari model të kësaj moshe. Shqipëria merr pjesë rregullisht së fundmi në veprimtari ndërkombëtare me skuadrat kombëtare të moshave dhe do të vijojë ta bëjë këtë edhe për edicionin e ri. Po në Divizionin C, Shqipëria do të përfaqësohet me vajzat e moshës deri në 16 vjeç. Sa i përket moshës deri në 18 vjeç, me djemtë Shqipëria do të përfaqësohet në Divizionin C.
Kurse me femrat e kësaj moshe në Divizionin B. Po në Divizionin B, Shqipëria do të përfaqësohet dhe me moshën deri në 20 vjeç. Më 12 dhjetor do të hidhet shorti, ku të gjitha skuadrat kombëtare të moshave do të mësojnë grupet dhe kundërshtarët e tyre. Duket se për basketbollin shqiptar po fryjnë erëra të mira dhe pjesëmarrja me ekipet kombëtare të moshave në kampionatet evropiane të moshave përkatëse dhe divizionet përkatëse është një hap serioz dhe mjaft i goditur i Federatës Shqiptare të Basketbollit.