Gjergj Vyshka 22.11.2014 13:30
Hidhet shorti i turit çerekfinal në basketboll për meshkuj e femra, që luhet më 2-3 dhjetor. Sekretari Llazani: “Vendos kryesia, unë jam i idesë për finalet në një vend”. Federata Shqiptare e Basketbollit pat lënë afat deri më 14 nëntor për të gjitha shoqatat e klubet, anëtare të këtij institucioni, të cilat kërkonin të organizonin gjysmëfinalet dhe finalet e Kupës së Shqipërisë në Basketboll për meshkuj e femra, që do të zhvillohen gjatë periudhës 18-20 dhjetor 2014.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, deri më tani janë përgjigjur kësaj date dhe kanë shfaqur interesin për organizimin e finaleve të Kupës së Shqipërisë, Shkodra dhe Vlora. Që do të thotë se askush nga kryeqyteti, ndryshe nga dy vjet më parë kur finalet e Kupës së Shqipërisë janë bërë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, vazhdon të mos ketë interes.
“Tashmë të dyja këto oferta unë do t’ia vë përpara kryesisë dhe më pas do të jenë ato që do të vendosin. Unë jam i idesë që të organizohen në një vend si meshkujt, ashtu dhe femrat, sepse ashtu dalin dhe më të bukura. Dhe vitet e fundit e kanë vërtetuar një gjë të tillë”, – ka përfunduar sekretari Llazani, kurse tashmë Kupa e Shqipërisë ka zyrtarizuar çiftet e çerekfinaleve meshkuj dhe femra.