AlbanianSport.com 30/11/2017 17:05
ASNN – KK Kumanova 2009 nuk do të vazhdojë pjesëmarrjen e saj në “SIGAL-UNIQA” Ligën Ballkanike, për sezonin 2017-2018. Klubi nuk ka përmbushur detyrimet financiare dhe nuk ka mundur të sigurojë kushtet standarde në lidhje me listën e ekipit dhe të gjitha kërkesat e tjera të Ligës Ballkanike sipas rregullores zyrtare. Ky ka qenë komunikimi i djeshëm i Ligës Ballkanike, e cila vendimin për përjashtimin e KK Kumanova 2009 e ka bërë në faqen e saj në të internet.
Drejtuesit e Ligës Ballkanike kanë bërë të ditur se në asnjë moment nuk është kanë pasur lidhje korrekte dhe komunikim normal me drejtuesit e skuadrës maqedonase. Liga Ballkanike, siç bëhet e ditur në komunikatën e djeshme, ka marrë informata që e vënë KK Kumanovën në një pozitë shumë të keqe, e cila do të ndikojë në të gjitha parametrat në klub. E kjo duke filluar me ekipin, trajnerët dhe lojtarët dhe kushtet që klubi duhet dhe mund t’i ofrojë ekipeve mike dhe gjyqtarëve në ndeshjet e këtij sezoni.
Drejtori i Sportit të Ligës Ballkanike, Shei Shtriks, së bashku me juristin vendosën që, pavarësisht respektit më të thellë ndaj organizatës, KK Kumanova 2009 nuk mund të tolerohej për mospërmbushjen e detyrimeve financiare, apo dhe kushteve që do të duhet t’u krijojë udhëtuesve që vijnë për të luajtur. “Vendimi që është marrë nuk ishte i lehtë, por është bërë në interesin më të mirë të konkurrencës dhe klubeve të përfshira në të, të cilët duhet të mbrohen së bashku me sponsorët dhe partnerët”, tha ai.
“Meqenëse nuk kemi arritur ende në gjysmë të rrugës së sezonit, të gjitha ndeshjet e KK Kumanovës deri më tani do të anulohen dhe rezultatet nuk do të numërohen”, shton njoftimi i Ligës Ballkanike të Basketbollit në faqen e saj në Internet. Ajo që duhet theksuar është se Tirana e pat fituar ndeshjen e saj ndaj Kumanova 2009, 75-73, ndërsa maqedonasit në fushën e tyre në Ligën Ballkanike janë gjykuar dy herë nga ndërkombëtari Marli Kasëmi dhe një herë nga ndërkombëtari tjetër Gilbert Hoxha.
E në këtë mënyrë shtohen shanset e Tiranës për të qenë në “Play-off”-in e Ligës Ballkanike, atje ku e para dhe e dyta shkojnë direkt në gjysmëfinale, kurse e treta, e katërta, e pesta dhe e gjashta bëjnë “play-off” mes tyre për dy gjysmëfinalistet e tjera. Tirana do të rikthehet në Ligën Ballkanike, teksa më 5 dhjetor do të presë bullgarët e Rilski Sportist.