AlbanianSport.com 21.03.2017 11:35
ASNN – Basketbollisti i Tiranës, Gerti Shima, beson se fundi i sezonit do të flasë vetëm për bardheblutë. Pas 18 javëve kampionat, kryeqytetasit udhëheqin me 34 pikë, 3 më tepër sesa Vllaznia ndjekëse.
Në një intervistë për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, Shima vlerëson paraqitjen e skuadrës përgjatë këtij sezoni si në kampionat dhe në Ligën Ballkanike, njëherësh përmend disnivelin e madh me kampionatet fqinje.
Këtë intervistë, dhënë gazetarit Olgert Serani, të së përditshmes sportive në fjalë, AlbanianSport.com po jua sjell në dy pjesë dhe dje ishte pjesa e parë, ndërsa e dyta është sot.
..vijon nga dje
– Pas rikthimit në kampionatin shqiptar, në çfarë niveli e keni gjetur?
– Përveç lojtarëve që kam lënë kur u largova, nuk po shoh prurje të reja. Po luajnë akoma lojtarë si Karaj, Vogli, Lasku, Bërdica. Pra, pas 6 viteve që u riktheva, baza e dy skuadrave kryesore në vend ose janë lojtarët e huaj ose brezi që kanë luajtur më herët, 10-12-vjeçarit të fundit. Pra lë për të dëshiruar një situatë e tillë. Një gjë të mirë që ka bërë Tirana jo se unë jam pjesë e saj, por ka afruar një grup të rinjsh të talentuar.
– Ju keni punuar me shumë trajnerë përgjatë karrierës suaj. Çfarë shihni ndryshe te trajneri Milatoviç?
– Për nivelin e basketbollit shqiptar, trajneri Milatoviç është “OK”. Po ashtu, edhe trajneri i Vllaznisë. Nuk ka ndonjë përvojë të madhe në ekipe të forta, por që niveli ku kanë punuar më herët i lejon që këtu të jenë trajnerët më të mirë në Shqipëri. Duhet përmendur që i kanë sjellë një eksperiencë të re basketbollit shqiptar.
– Çfarë duhet të kujdes Tirana në fazën e “play off”-it?
– Ne e kemi dëshmuar gjatë kësaj kohe ku kemi mposhtur Vllazninë në Tiranë, ndërsa në fushë të huaj kemi zhvilluar një lojë mjaft të mirë, duke përmendur edhe faktin që 3 lojtarë kryesorë të 5-shes kanë qenë jashtë për gabime personale, unë, Karaj dhe Grifin Rame. Në atë takim jo se nuk shkuam për fitore, por evituam në maksimum ndonjë dëmtim të mundshëm. Do të jemi gati për finale, kemi luajtur me ekipe shumë më të forta se Vllaznia. Pritshmëritë janë për finale emocionuese dhe të vështira, por e them me plot bindje që Tirana do të triumfojë.
– Kush jua ka tërhequr vëmendjen te Tirana nga elementët e rinj?
– Mund të përmend Eldi Hysën, Klen Strazimirin, Joans Gjeçin apo Reldi Durrësin. Nëse Tirana do të arrijë t’i mbajë dhe stërvisë, ata do të jenë të gatshëm si për klubin, por edhe për ekipin kombëtar. Por, nëse Tirana u jep hapësira këtyre të rinjve, kjo nuk ndodh me Vllazninë. Ky është një minus i madh për basketbollin përtej konkurrencës mes kampeve. Duhet një gjithëpërfshirje në përfaqësuese. Duhet të punohet shumë me këtë grupmoshë. Duhet ta pranojmë që edhe në rajon nuk kemi ngjitur shkallën e parë, jemi akoma fëmijë si për lojtarë dhe trajnerë. Uroj të ndryshojë kjo gjendje sikur ndodhi me kombëtaren.