Gjergj Vyshka 01.10.2015 08:10
Sekretari Llazani: “Të gjithë ata që kanë pasur probleme në testin e parë do të kenë një shans të dytë më 11 tetor. Këtë herë gjykojnë vetëm ata që kapën parametrat që ne kërkuam.” 19 gjyqtarë shqiptarë të basketbollit kanë arritur të marrin testimin teorik e praktik, që është zhvilluar më 20 shtator 2015 në mjediset e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”.
Dhe ata janë ndërkombëtarët Gentian Cici, Ervin Koçi, Erjon Hoxhaj, të cilët i kanë dhënë testimet e tyre në FIBA-Evropë. E pas tyre edhe Gilbert Hoxha, Marli Kasëmi, Andi Bejko, Hans Trajer, Olti Kasmi, Adrian Dylçe, Erlambi Tiko, Fabjon Jaçe, Brigen Tafilica, Sajmir Tafilica, Ylli Harasani, Mikel Majko, Paolo Sakaj, Ergit Shpuza dhe Edison Gjoni.
“Këta do të jenë dhe gjyqtarët, të cilët do të gjykojnë në dy javët e para të kampionatit”, – bën me dije sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani. Por është një grup tjetër që nuk ka marrë dot normat. E ata janë: Jetmir Gokaj, Elvis Allaraj, Gajtis Basho, Gid Shaqiri, Jurgen Muho, Kostandin Canaj, Visar Prapa, Endri Liço, Kelli Delia, Olart Neza, Daniel Alla, Hygert Pali, Arild Ago, Alfons Lazri dhe Amarildo Omeri.
“Për të gjithë këta gjyqtarë do të ketë edhe një shans të dytë, sepse do ta bëjnë përsëri testin më 11 tetor 2015. Për shkak të shtrirjes së aktivitetit, sepse përveç kampionatit do të kemi dhe Kupën e Shqipërisë, kampionatin e të rinjve dhe para të rinjve, apo dhe moshave të tjera, ne kemi nevojë për të gjithë këta gjyqtar. Ndaj do t’i jepet edhe një shans tjetër”, – e ka mbyllur këtë çështje Llazani.