AlbanianSport.com 06.08.2015 19:35
ASNN – Dikur do të vinte koha, pavarësisht se admiruesit e basketbollit do të donin të mos kishte fund. Kështu, sezoni ardhshëm mund të jetë i fundit për Kobi Brajantin në Kampionatin Amerikan të Basketbollit (NBA). I pranishëm në Kinë në kuadër të një turi promocional, ikona e Los Anxhelos Lejkërs zbuloi për “Yahoo Sports” se do të vendosë në fund të sezonit nëse do të tërhiqet ose jo nga basketbolli.
“Nuk kam vendosur asgjë, por edhe këtë gjë nuk e kam diskutuar”, – ka pohuar Brajant, i cili i mbush 37 vjeç më 23 gusht 2015. Basketbollisti i Los Anxhelos Lejkërs është fitues i pesë titujve kampionë në NBA (2000, 2001, 2002, 2009 dhe 2010), por ka vuajtur mjaft nga dëmtimet e fundit në shpatullën e djathtë në muajin janar. Prandaj, sezonin e fundit Brajant ka luajtur vetëm 35 takime.
“A mund të jetë ky sezoni im i fundit? – ka vijuar ai. – Absolutisht që po. Sigurisht që është një vendim i vështirë për t’u marrë. Kolegët, me të cilët kam biseduar, më kanë thënë “Kobi, do ta kuptosh”.” Megjithatë, numri 24 i Lejkërsave ndihet ende mirë fizikisht. “Nuk kam asnjë dyshim në lidhje me atë që unë mund të bëj, – ka thënë Brajant. – Trupi im dhe këmbët e mia po më përgjigjen mirë. Jam i shëndetshëm.”
“Por që vendimin për t’i dhënë lamtumirën do ta marr në fund të sezonit”, theksoi Brajant në prag të edicionit të 20- të radhazi me skuadrën e Los Anxhelos Lejkërs. Përpos karrierës së shkëlqyer në NBA, Kobi Brajant, i cili në NBA nga basketbolli italian, ka triumfuar edhe me përfaqësuesen amerikane, duke fituar dy medalje të arta në Lojërat Olimpike “Pekin 2008” dhe “Londër 2012”.