Gjergj Vyshka 22.06.2015 11:35
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Basketbollit, në mbledhjen e tij të radhës, e cila është zhvilluar të premten pasdite, ka diskutuar për sezonin e ri, si dhe ka vendosur pranimin e tre shoqatave të reja anëtare të sportit të koshit në vend. Në mbledhjen e drejtuar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, si dhe me praninë anëtarëve Bashkim Milo, Artan Terihati, Eduard Çarçani, Shpëtim Bozdo dhe Vaso Shaka, ka munguar Ilir Taflaj, kanë qenë në rendin e ditës 6 pika për t’u diskutuar.
Së pari, të paktën kjo edhe sipas komunikatës për shtyp të Federatës Shqiptare të Basketbollit, diskutimi rreth projektit të rregullores së aktiviteteve sportive për edicionin 2015-2016. Së dyti miratimi i buletinit për mbylljen e aktiviteteve të sezonit 2014-2015. Së treti diskutimi rreth punës dhe programimit të sistemit të grupmoshave Nën-16, Nën-18 dhe Nën-20-vjeç, në lidhje me pjesëmarrjen e këtyre përfaqësueseve në veprimtaritë evropiane.
Së katërti përcaktimi i shpenzimeve për pjesëmarrjen e këtyre kampionateve nga fondi “grant” i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. E së pesti miratimi i kërkesave të ardhura nga shoqatat “Dhimitraq Goga”, “Tirana Eagles Basket” dhe “Galaktikët” për t’u bërë anëtare të Federatës Shqiptare të Basketbollit. E në përfundim është miratuar rregullorja e aktiviteteve kombëtare të sezonit 2015-2016, si dhe data e fillimit të kampionatit që me shumë gjasa do të jetë 2 tetori 2015.
Ndërkohë që janë pranuar si anëtare të Federatës Shqiptare të Basketbollit shoqata “Dhimitraq Goga”, “Tirana Eagles Basket” dhe “Galaktikët”.