AlbanianSport.com 11/11/2018 15:40
ASNN – Duhet theksuar se edhe para dy sezonesh, në Shqipëri pati shpërthyer një garë e ethshme, sa i përket shënimit të pikëve nga një lojtar i vetëm në basketboll. Më 16 prill të 2016-ës Gent Lasku shënoi 100 pikë në fitoren 133-68 të Tiranës ndaj Flamurtarit në kampionat dhe u bë në të njëjtën kohë dhe rekordmeni i viteve të fundit të basketbollit shqiptar.
Rekord që në fakt ishte vendosur 10 vjet më parë nga Gerti Shima, i cili në një ndeshje me Partizanin, kohë në të cilën luante për Valbonën e Adem Muhametajt, pati shënuar 91 pikë. Ka ndodhur në sezonin 2005-2006, në takimin Valbona-Partizani 151-80. Por, thuajse në vit më vonë, një fenomen pikëshënimi shpërtheu në basketbollin e femrave këtë radhë.
Radhën e pikëve të shumta në një ndeshje basketbolli të femrave e hapi Dorina Mema e Studentit me 44 pikë të premten e 17 shkurtit 2017, e vazhdoi Elektra Zykaj një ditë më pas, të shtunën, me 79 pikë dhe e vulosi Igena Qypi të mërkurën e 22 shkurtit me 100 pikë, atëherë gjërat nuk dukeshin më nuk janë normale. Madje, legjenda thotë se një tjetër lojtare e Flamurtarit e theu edhe më tej këtë rekord.
Ajo madje thuhet të ketë shënuar plot 111 pikë në vetëm 26 minuta lojë, çka do të ishte padyshim një rekord i denjë për Librin e Rekordeve “Gines”. Sigurisht që Qypit nuk i hiqet merita për pikët e shënuara, sepse tashmë është ajo rekordmenia e basketbollit të femrave në Shqipëri. Më parë më 2002-in në ndeshjen Flamurtari-Luftëtari 166-37, Elona Merkaj ka shënuar 88 pikë.