AlbanianSport.com 07.01.2017 23:30
ASNN – Reali i Madridit ka fituar mbrëmë 95-85 me CSKA-në e Moskës, ndeshje kjo e vlefshme për Euroligën në basketboll për meshkuj. Kjo ndeshje është transmetuar drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizioni Shqiptar. Kështu, Euroliga në basketboll për meshkuj është rikthyer sërish për teleshikuesit në transmetuesin publik. Ka qenë ndeshja Real Madrid-CSKA e Moskës e cila është transmetuar drejtpërdrejt në TVSH.
Sfidë kjo tepër emocionuese. Në prani të rreth 12 mijë spektatorëve në “Uizink Center”, 10-minutëshi i parë nis me tepër rivalitet. Basketbollistët e të dyja skuadrave mundohen të bëjnë sa më pak gabime. Pjesa e parë mbyllet me epërsinë e një pike të vetme të skuadrës moskovite, 23-24. Në pjesën e dytë. janë lojtarët e Realit që janë më të saktë, sidomos në gjuajtet poshtë koshit, duke e mbyllur 10 minutëshin e dytë me fitoren 27-22.
Pas pushimit prej 15 minutash, skuadrat hyjnë sërish në fushë për të sfiduar njëra-tjetrën. Masilius dhe Ljul udhëheqin Realin duke shënuar në disa sulme radhazi. Por për CSKA-në kundërpërgjigjen Deodosiç dhe Dekolo. Barazpeshë në fushë, 24-24 në këtë 10-minutësh të 3-të. Në 10 minutat e fundit, bëjnë diferencën gjuajtjet e sakta të Ljulit, duke i dhënë fitoren skuadrës së Realit të Madridit.
Basketbollistët rusë janë të pasaktë në pasim si dhe në gjuajtet për 3 pikë, duke i dhënë mundësinë kështu kundërshtarit të krijojë diferencën. Reali e mbyll ndeshjen me rezultatin 95-85 duke marrë kështu një fitore të vlefshme, për vazhdimësinë në Euroligë.