Nga Gjergj Vyshka 04.02.2016 14:35
Në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit rikthehet pas katër vjetësh Kupa e Shqipërisë për femra. Asokohe ka pas qenë triumfuese Apolonia e Spiro Kuvaratit, që në të njëjtin sezon do të merrte dhe titullin “kampion”. Por sot nuk ekziston më Apolonia, ashtu sikurse nuk ka qenë në gjendje të ishte në këtë fazë finale edhe Goga Basket, që për shkak të shortit është përplasur përpara kohe me Flamurtarin.
Në Durrës asnjëanshmëria është plotësisht e zbatueshëm, sepse janë katër skuadra që nuk kanë lidhje me fushën ku do të luhet. Pra as stërviten e as nuk luajnë atje, shumë pak kur kanë ndeshje me Goga Basket. Por ky ka qenë vendimi i kryesisë të martën në mbrëmje e kjo jo vetëm për të rizgjuar nga letargjia klubin shumësportësh Teuta, që duhet ta ketë edhe një ekip në basketboll për femra.
Por sepse “Ramazan Njala” është një opsion i mundshëm për ndeshjen e 24 shkurtit, Shqipëri-Itali. Pra as Tirana e as Shkodra, por Durrësi, atje ku duket se ka hyrë edhe kryetari i Bashkisë në lojë, Vangjush Dako, që ka marrë përsipër rregullimin e ndriçimit të Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” në atë nivel që kërkohet nga ndërkombëtarët, ndërsa pajisjet edhe duke qenë në pronësi të Federatës Shqiptare të Basketbollit do të vijnë nga Fieri.
Megjithatë duket se është vetëm projekt, por që mund të zbatohet në kushtet kur Kupa e Shqipërisë në basketboll për femra do të luhet në “Ramazan Njala” të Durrësit.