AlbanianSport.com 14/03/2019 14:45
ASNN – Klubi i basketbollit i Prishtinës, është eliminuar të mërkurën në mbrëmje nga FIBA Europe Cup”, pasi nuk arriti të përmbyste skuadrën italiane të Varezes, e cila kishte fituar edhe ndeshjen e parë të luajtur në kryeqendrën e Kosovës pak ditë më parë me rezultatin 80-77.
Mbrëmë ekipi italian fitoi me shifrat e thella 100-84, duke kaluar në çerekfinale, kurse KB Prishtina eliminohet dhe e mbyll këtu aventurën e saj në Kupën e Evropës për këtë edicion. Ndeshja ishte më e mirë për skuadrën italiane, e cila e dominoi takimin në tërësinë e tij, duke mos u dhënë shans shtatlartëve kosovarë të bënin ndonjë surprizë.
Vareze e bëri diferencën në dy 10-minutëshat e parë, pasi e mbylli gjysmën e parë të takimit me shifrat 56-40, pra me 16 pikë diferencë. Në dy pjesët në vijim Prishtina e balancoi lojën dhe tentoi të bëjë surprizën, por nuk ia doli. Në gjysmën e dytë të takimit barazoi 44-44, por pa mundur ta kthejë ndeshjen për pasojë humbi 100-84.
Sidoqoftë, skuadra e kryeqytetit të Kosovës bëri një edicion fantastik në këtë veprimtari kontinentale dhe ishte hera e parë që një skuadër shqiptare arrinte deri në 16-she të Kupës së Evropës, diçka që nxit entuziazëm për të ardhmen e basketbollit në Kosovë e në Shqipëri.