AlbanianSport.com 19/01/2024 17:55
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, konfirmon përzgjedhjen: “Vlora, mikpritëse e Ligës Unike”. Kështu, Vlora është përzgjedhur si qyteti që do të mirëpresë duelet e veprimtarisë mbarëkombëtare të basketbollit për meshkuj, Ligës Unike.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar posaçërisht për RTSH Sport presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB), Avni Ponari, i cili ka theksuar se kjo veprimtari zhvillohet në kuadër të zgjedhjes së Vlorës si qytet Evropian i Sportit dhe vjen pasi qyteti bregdetar priti “4-shen finale” të Kupës së Shqipërisë për femra.
“Ky vit është “Viti Evropian i Sportit” në Vlorë dhe, duke qenë i tillë, ne iu drejtuam disa Bashkive për të mirëpritur fazën finale të Ligës Unike të basketbollit për meshkuj, – ka deklaruar kreu i organizmit që qeveris koshin shqiptar. – Do të jetë një veprimtari shumë e rëndësishme dhe mjaft me vlerë për basketbollin.”
“Për më tepër që këtë vit që presim dy prej fazave eliminatore të basketbollit kontinental për moshat, por Ligën Unike do ta zhvillojmë në Vlorë këtë vit, në qytetin evropian të sporteve, duke krijuar një mundësi të re për të paraqitur një basketboll dinjitoz të meshkujve”, – ka vijuar Ponari.
Në vijim, ai ka theksuar se Vlora iu përgjigj me kënaqësi ftesës së FSHB-së, duke premtuar kushte optimale për të 8 ekipet që do të akomodohen në këtë qytet për afro një javë. “Unë besoj që do të organizohet një veprimtari shumë e bukur dhe të jetë një nga finalet më të bukura të Ligës Unike, pra të ekipeve të Kosovës dhe Shqipërisë”, – tha Presidenti i koshit.
“Kjo do të jetë një garë shumë e rëndësishme dhe uroj që ekipet e Shqipërisë të jenë fituese, por, mbi të gjitha, besoj se do të jetë një turne dinjitoz”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ndërsa të shtunën luhet edhe finalja e Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj.