Gjergj Vyshka 15.10.2015 13:30
Për tre vjet, ashtu sikurse është lajmëruar dhe më parë, Liga e Ballkanit në Basketboll për Meshkuj do të quhet “Liga Ballkanike SIGAL Uniqa”. Dje në mesditë, në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit mes Drejtorit të përgjithshëm të kompanisë “SIGAL Uniqa Group Austria”, Avni Ponari, dhe drejtorit sportiv të Ligës Ballkanike, Shei Shtriks. Bëhet fjalë për një marrëveshje trevjeçare, ndërsa Liga Ballkanike e Basketbollit do të quhet “Liga Ballkanike SIGAL Uniqa”. Në konferencën për shtyp, e cila është zhvilluar në një nga lokalet e Shkupit, të dyja palët kanë rënë dakord që të jenë së bashku për tre vitet e ardhshme.
Ponari dhe Shtriks thanë se ata janë mëse të lumtur për të punuar së bashku dhe janë shpresë se bashkëpunimi i tyre do të kontribuojë në zhvillimin e basketbollit në rajon. Presidenti i Federatës së Basketbollit të Maqedonisë, Petar Naumoski, dhe zv/presidenti Sasho Drakulovski, të cilët morën pjesë në këtë konferencë për shtyp, së bashku me Ponarin dhe Shtriksin kanë qenë në Gjevgjeli, atje ku për fazën e grupeve të Ligës Ballkanike, Kozuvi vendës është përballur me Mornarin. Në këtë konferencë për shtyp ka marrë pjesë dhe Sajmir Dhamo, përfaqësuesi i “Uniqa”-s në Maqedoni, ndërsa gjithçka është pasqyruar nga 25 media maqedonase, lokale dhe kombëtare.
Ajo që duhet theksuar është fakti se në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje ka meritë të padiskutueshme Ponari, që është njëkohësisht dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit. “Personi kyç që qëndron pas gjithë kësaj, me një mbështetje të madhe dhe me besim tek ne, është zoti Avni Ponari, CEO (kreu ekzekutiv) i “SIGAL UNIQA”, -thuhet në komunikatën për shtyp të Ligës Ballkanike. – Si President i Federatës Shqiptare të Basketbollit, zoti Ponari, është një mik i madh dhe një mbështetës i basketbollit. Ai ka punuar shumë që të promovojë basketbollin jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, ku SIGAL UNIQA kryeson tregun e sigurimeve, por në të gjithë rajonin e Ballkanit.”
“Tani, me detyrën e re si pjesë e Ligës Ballkanike të Basketbollit, zoti Ponari shton një arritje më shumë në paketën e tij të mirënjohjeve, së bashku me çmimet dhe vlerësimet e shumta që ai merr në vendin e tij, në Shqipëri, si dhe në të gjithë Evropën. Ai është gjithashtu anëtar i Komisionit të Financës të FIBA Evropës”, – përfundon komunikata për shtyp të Ligës Ballkanike, ndërsa ndihma e Ponarit dihet në mbështetjen që i ka dhënë Sigal Prishtinës, por dhe Vllaznisë, apo dhe në zhvillimin e “Streetball”-it në vendin tonë. Pa harruar këtu marrëveshjen e nënshkruar më 7 mars me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri për shkollat e basketbollit.
Përfundimisht, Liga Ballkanike dhe “SIGAL Uniqa Group Austria” janë lidhur ngushtësisht mes tyre për tre vjet.