AlbanianSport.com 14/04/2020 18:35
ASNN – Ndryshe nga ç’ka ndodhur në vende të ndryshme të Evropës e jo më larg, por në Italinë fqinje, ku volejbolli dhe basketbolli e kanë mbyllur sezonin e tyre, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, në Shqipëri të dyja federatat ende nuk kanë dalë me një vendim përfundimtar mbi këtë çështje. Vetëm pak ditë më parë, kreu i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, tha se organizmi që ai drejton do të presë vendimet e qeverisë dhe se do të preferonte që kampionët të kurorëzoheshin në parketon e lojës.
Ndërkohë, të martën, edhe Presidenti i Federatës së Basketbollit Shqiptar, Avni Ponari, ka konfirmuar se ky sezon do të përfundojë dhe është ndalur edhe tek e ardhmja. “Situata njihet nga të gjithë, – ka deklaruar ai në një lidhje direkte me televizionin informativ, ABC News. – Edhe basketbolli gjendet përballë sfidës së madhe, epidemisë së koronavirusit. Është e rëndësishme të themi që ky sport ka filluar të mbyllë veprimtaritë. Disa shtete i kanë mbyllur kampionatet dhe Federatat janë pajtuar me këtë vendim.”
“Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) ka qenë pranë Federatave, ka dhënë udhëzime dhe këshilla, – ka vijuar biznesmeni i njohur. – Edhe ne kemi qenë afër shoqatave, duke dhënë udhëzimet e duhura se si ta kalojnë këtë moment. Shoqatat e basketbollit kanë jo vetëm lojtarë vendas, por edhe të huaj, të cilët kanë rritur cilësinë e basketbollit shqiptar. Pjesa dërrmuese e tyre është larguar jashtë vendit, të tjerët qëndrojnë në shtëpi dhe bëjnë stërvitje e disa përgatitje të nevojshme. Ne kemi marrë një vendim me kryesinë që kampionati të mos konsiderohet i mbyllur.”
“Kemi propozuar të vazhdojë me ndeshjet e mbetura dhe pastaj ndeshjet e fazës së “play-off”-eve, – ka këmbëngulur kreu i organizmit që qeveris koshin shqiptar. – Kjo do t’i bëjë mirë basketbollit shqiptar, pasi do të kemi një skuadër “kampione”.” Në vijim, Ponari e ka vënë theksin edhe tek “gangrena” e përhershme e sportit në Shqipëri, tek financat. “Dihet që të gjitha sportet, veçanërisht basketbolli, volejbolli, jetojnë me donacione, – ka kujtuar ai. – Sapo është ndarë granti i Ministrisë së Arsimit, një grant natyrisht i vogël, pak më shumë se vitin e kaluar, rreth 100 mijë euro.”
“Nuk është i mjaftueshëm për zhvillimin e gjithë veprimtarive që kemi planifikuar, edhe pse një pjesë janë pezulluar nga FIBA, por ne do vazhdojmë me veprimtari të të tjera, – ka sqaruar kreu i FSHB-së. – Shteti? Ajo që i kemi kërkuar shtetit ka qenë miratimi i ligjit për sponsorizimet, ligj shumë i rëndësishëm. Kjo do të bënte ngritjen e basketbollit në Shqipëri. Kishim planifikuar veprimtari për 7 ekipe kombëtare, 5 ekipet e moshave dhe 2 ekipet e të rriturve. Një pjesë do pezullohen, të tjerat pritet të pezullohen. Veprimtaria do bazohet në një program të ri që presim të vijë nga FIBA.”