AlbanianSport.com 31.03.2016 13:25
ASNN – Presidenti i saporizgjedhur deklaron nga Korça që do t’i mbajë të gjitha premtimet që ka dhënë gjatë fushatës. Avni Ponari do të vijojë të jetë president i FSHB-së dhe këtë të drejtë e fitoi pikërisht mesditën e djeshme, pasi u numëruan 52 fletët e votimit. Rreth orës 12:00 të mesditës përfundoi votimi dhe më pas tre anëtarët e këtyre votimeve kanë numëruar së pari fletët për president. Në shpirtin e “fair play”-it, as Ponari dhe as Fagu, dy kandidatët për president, nuk kanë qenë të pranishëm në sallë në momentin e numërimit.
Ndërkohë që duhet theksuar se Avni Ponari e ka mësuar që ka fituar vetëm nëpërmjet celularit të miqve të tij, që ishin në sallë. 35-17 ishte rezultati përfundimtar nga 52 votat e numëruara, ndërkohë që duhet theksuar se Avni Ponari, pak minuta pasi është zgjedhur president, ndodhej në mjediset e jashtme të sallës. Duke folur nga Korça për mediat pasi është rizgjedhur sërish në krye të basketbollit, Ponari ka deklaruar: “Falënderoj së pari të gjithë votuesit, shoqatat, klubet të gjithë ata që ishin pjesëmarrës sot në votim”.
“Procesi ishte i drejtë, i pastër dhe të këtë të drejtë që të votonin e kishin të gjithë, – ka vijuar biznesmeni që merr kështu një mandat të 3-të radhazi në krye të organizmit që qeveris koshin shqiptar. – Ky votim i sotëm (djeshëm) ishte për të ardhmen e basketbollit dhe për mua e gjithë Federata dhe palët e saj janë njësoj. Ato që kam premtuar gjatë fushatës do t’i mbaj dhe shpresoj që të bëjmë maksimumin për FSHB-në. Për mua sukses do të jetë kur të marrim pjesë me 7 ekipe kombëtare në Evropian dhe do të përpiqem shumë që ta ngremë në maja lojën e basketbollit.”
“Tani nuk më mbetet gjë tjetër vetëm të ulim kokën dhe të punojmë sepse kemi shumë për të bërë”, – ka thënë Ponari pasi është rizgjedhur sërish presidenti i Federatës së Basketbollit.