AlbanianSport.com 27/02/2019 23:00
ASNN – I gjendur në Sallën Sportive “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, rikonfirmoi dhe një herë në mënyrë të qartë e të prerë se pa financime basketbolli, por edhe sporti në përgjithësi, do të mbetet në vend-numëro dhe nuk do të kemi rezultate në rang kombëtar. Ky qëndrim i Ponarit nuk vjen për herë të parë. Prej muajsh ai apelon tek instancat për gjetjen e zgjidhjes në të mirë të sportit, duke i mëshuar krijimit të një ligji sporti që i jep frymëmarrje funksionimit dhe zhvillimit të sportit, por edhe koshit shqiptar.
“Ka një lëvizje në bazë të këtyre mundësive që kemi, – u shpreh Ponari për mediat gjatë veprimtarisë së djeshme, ku prezantoi trajnerët e rinj të skuadrave kombëtare, – financat tona janë të pakta, por, nëse do të kishim mbështetje, sigurisht që do të mund të kërkonim rezultate më të larta. Basketbolli është në ndryshim të vazhdueshëm për shkak të shumë faktorëve. Basketbolli në Evropë ka ecur shumë përpara, pasi edhe investimet kanë qenë të mëdha.”
“Talentet nuk na mungojnë, as trajnerët, por duhet të gërshetohen me investimet. Këtë vit do të nisim përgatitjet e skuadrave kombëtare që në muajin mars, që do të thotë se ka kohë për përgatitje dhe stërvitje të mirë. Për këtë arsye shpresoj që të arrijmë rezultate më të mira sesa vitet e shkuara. Edhe pse kemi 7 skuadra kombëtare, nuk kemi asnjë mbështetje të veçantë nga qeveria. Presim ndonjë “dritë jeshile” nga ministria këto ditë”, – shtoi më tej kreu i basketbollit shqiptar, Avni Ponari.