AlbanianSport.com 23.01.2015 23:05
ASNN – Flamurtari për femra dhe Kamza Basket për meshkuj janë fituesit e Superkupës së Shqipërisë në basketboll, ndeshjet e të cilës janë zhvilluar të premten në mbrëmje. Vlonjatet kanë mposhtur Apoloninë, ndërsa periferikët e kryeqytetit kanë mposhtur kampionen në fuqi, Vllazninë.
Basketbolli shqiptar e ka ngritur siparin e tij për vitin 2015 me dy finalet e Superkupës, trofeun simbolik që vë përballë fituesen e kampionatit me atë të Kupës. Në finalen e femrave, ku kampionia në fuqi, Flamurtari, dhe fituesja e Kupës, Apolonia, dhuruan spektakël, por janë vlonjatet ato që triumfojnë në fund, në shifrat 87-83.
Ata kanë marrë kështu hak për humbjen në Kupë dhe duke bërë të vetin trofeun e parë të vitit. Duke folur pas finales, dy trajnerët kanë patur këndvështrime të ndryshme për lojën dhe rezultatin. Ndërkaq, për finalja e meshkujve ka qenë me më pak pikë, kjo edhe për arsye se skuadrat u përqendruan më tepër në fazën mbrojtëse, sesa në sulm.
Vllaznia dhe Kamza Basket kanë marrë shpesh kryesimin e lojës, por në fund janë periferikët e kryeqytetit ata që triumfojnë në shifrat 67-58. Niveli i lartë i dueleve të Superkupës është vlerësuar edhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.