AlbanianSport.com 22/05/2020 23:10
ASNN – Kriza e shkaktuar nga epidemia e virusit korona natyrisht do të kishte pasoja dhe, ashtu sikundër ky sezon u mbyll pa shpallur fitues, po kështu Kosova nuk do të ketë skuadër në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve në basketboll për meshkuj. Në fakt është Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) që ka njoftuar se nuk do të delegojë asnjë skuadër në edicionin e ardhshëm të kësaj veprimtarie.
Ky është ky niveli i parë i garave evropiane të FIBA-s, por jo niveli më i lartë evropian. Kjo sepse FIBA është vazhdimisht në garë me Euroligën private, për të joshur skuadrat më të mëdha evropiane. Edicionin e kaluar Liga e Kampionëve është cilësuar si niveli i tretë kontinental pas Euroligës dhe “EuroCup”. Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka qenë pjesëmarrëse në Ligën e Kampionëve, të themeluar në vitin 2016.
Në të dy edicionet e kaluara, Prishtina nuk ia ka dalë të kalojë fazën e parë eliminatore. Tani nuk do të ketë fare skuadër kosovare në Ligën e Kampioneve. Në Kosovë është anuluar edicioni i basketbollit dhe nuk është shpallur kampionia. Po ashtu skuadrat pritet të kenë telashe financiare pasi të kthehen në gara. Skuadra kosovare megjithatë pritet të ketë në “FIBA Europe Cup”, që është niveli i 4-t evropian.
“Skuadrat do të depozitojnë shumën prej 16 mijë euro në llogarinë bankare të FBK-së si formë garancie për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare”, – thuhet në vendimin e Bordit Ekzekutiv të organit që qeveris koshin në Kosovë.