Gjergj Vyshka 03.05.2016 10:55
Dy gjuajtjet e lira të sakta të basketbollistes 13-vjeçare, teksa kishin mbetur 0 sekonda e 6 të dhjetat nga fundi i ndeshjes, kanë rezultuar fatale për Vllazninë, e cila ka qenë e pakënaqur me gjykimin. Në fakt finalja e para të rejave edhe pse ishte lajmëruar për në ora 17:00 ka nisur me një orë me vonesë. Sepse më parë kishte shkuar në kohë shtesë ndeshja e basketbollit të të rinjve, Virtus Tirana-Vllaznia, dhe po kështu është shtyrë dhe finalja e minifutbollit për zonën e Tiranës mes KS Ali Demit dhe Tiranës. Sidoqoftë, ka qenë një finale e ethshme.
Është luajtur pikë më pikë, ka pasur shumë gabime, veçanërisht në gjuajtjet e lira. Por ajo që është vënë re si fenomen ishte asnjë skuadër nuk ka tentuar të godasë në gjuajtjet për 3 pikë. Jo vetëm kaq, por dhe për shkak të moshës së vogël, gabimet personale kanë qenë të shumta. Aq sa në total janë numëruar 53 të tilla, 28 Vllaznia dhe 25 Superiori. Madje Vllaznia e ka pasur më keq sepse ende pa përfunduar dy pjesët e para, Burrja, Haxhija dhe Zmijani janë ngarkuar me nga 4 gabime personale. Pjesën e parë e ka fituar Vllaznia 15-16 dhe të dytën Superiori 16-15.
Dhe në pushim është fiksuar rezultati i barabartë 31-31. Mandej Vllaznia ka momente që luan, edhe sepse Haxhija bëhet shtytëse për lojën e skuadrës së saj. Në krahun tjetër Dapi dhe Ahmataj nuk falin. E pjesa e tretë është përsëri e barabartë 17-17 dhe në total 48-48. Kërkohet një mbulim më i fortë për Haxhiajn dhe Vllaznia çorientohet. Jo vetëm kaq, por tashmë nisin të thjeshtohen dhe lojtaret për shkak të gabimeve personale. Më parë Haxhija e më pas Osmanaga e humbjet duken të mëdha tek skuadra e Afërdita Rakajt.
Por kur Lilaj i ka dhënë shpresën me koshin e saj prej dy pikësh për të fituar titullin, ndërsa 3 sekonda e 1 të dhjetat Vllaznia ishte në epërsi 59-58, shkodranet kanë besuar. Mirëpo Burrja shkakton faullin e saj të 5-të, ndërsa bëhet lojtarja e tretë kuqeblu që largohet dhe Hushi nga vija e gjuajtjeve të lira nuk ka falur. 12-11 është mbyllur pjesa e katërt për Superiorin dhe në total 60-59 dhe titulli “kampion” është për skuadrën e Poliksenia Muzhës dhe Elidon Beqos, me kryetrajnere Ledina Koçin.
Superior – Vllaznia 60-59
(15-16, 16-15, 17-17, 12-11)
Superiori: Dapi (20), Ahmetaj (4), Ahmataj (15), Bilali (11), Hushi (5) / Mborja (2), K. Meta (3), T. Meta, Beqo, Jata. Trajnere: P. Muzha
Vllaznia: Osmanaga (2), Burja (14), Haxhija (22), Zmijani (4), Lila (7) / Mati, Brajoviç, Beqari, Xhaferri, Balija (10). Trajnere: E. Berranija
Gjyqtarë: Y. Harasani, K. Canaj (Tiranë)