Gjergj Vyshka 27.03.2016 19:55
Sipas komunikatës për shtyp të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrja Lindita Nikolla ka pritur dje në një takim Presidentin e Federatës së Basketbollit Evropian, Turgai Demirel, që ishte i shoqëruar nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari dhe disa prej figurave më të spikatura të basketbollit shqiptar. Ministrja e Arsimit dhe Sportit i shprehu mirënjohjen Presidentit Demirel për mbështetjen e tij që i jep basketbollit shqiptar dhe FSHB-së në zhvillimin e më tejshëm të këtij sporti të dashur për shqiptarët.
Gjithashtu Nikolla e informoi Demirelin për politikat e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në drejtim të zhvillimit të sportit elitar, por edhe atij në shkolla si pjesë e edukimit fizik dhe shëndetësor për fëmijët shqiptar që në moshë të hershme. Nga ana e tij, presidenti i Federatës Evropiane të Basketbolit, Demirel, duke vlerësuar politikat e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në drejtim të masivizimit dhe përmirësimit të cilësisë së sportit shqiptar dhe veçanërisht atij të basketbollit shprehu gjithë mbështetjen e tij për projektet që kanë të bëjnë me sportin në shkolla, shkollën qendër komunitare dhe ekipet zinxhir të basketbollistëve të rinj shqiptar.
Gjithashtu Demirel falënderoi ministren Nikolla për partneritetin e ri që MAS dhe Federata Shqiptare e Basketbollit kanë zhvilluar në drejtim të angazhimit të figurave elitare të këtij sporti në përmirësimin e aktivitetit sportiv të shkollës. Në këtë kuadër ai sigurojë Ministrinë e Arsimit dhe Sportit se Federata Evropiane e Basketbollit do të mbështes maksimalisht zhvillimin e më tejshëm të këtij projekti. Gjatë takimit, Ministrja Nikolla, presidentët Demirel e Ponari, si dhe ish-sportistët elitar të basketbollit shqiptar të pranishëm në këtë takim, shprehën njëzëri angazhimin e tyre për zgjerimin e më tejshëm të bashkëpunimit me projekte të tjera të përbashkëta në fushën e sportit në shkolla si një shkollë të hapur për komunitetin.
Përmes marrëveshjes së bashkëpunimit mes MAS dhe FSHB është mundësuar që një grup figurash të spikatura të basketbollit shqiptar të angazhohen në marrjen në patronazh të mjediseve sportive të shkollave duke i vënë ato në dispozicion të komunitetit, prindërve dhe fëmijëve që dëshirojnë të angazhohen në sportin e basketbollit.