AlbanianSport.com 01.08.2015 22:35
ASNN – Ndryshe nga Kombëtarja shqiptare e Nën-18-vjeçareve në basketboll për femra, e cila ka zhgënjyer keqazi në dy ndeshjet e para, ajo e meshkujve të kësaj grupmoshe ka bërë paraqitje më shpresëdhënëse dhe është mundur sot vetëm në sekondat e fundit nga Maqedonia, me shifrat 74-71, në ndeshjen e vlefshme për vendet nga i 21-ti në të 24-tin të Evropianit të Basketbollit për këtë kategori grupmoshe, në Divizionin B, turne që përfundon të dielën në Austri.
Kjo Kombëtare mund t’i ketë humbur 5 ndeshjet e grupit dhe dy nga tri ndeshjet për renditjen përfundimtare për vendet nga i 17-ti në të 24-tin, por shifrat kanë qenë mjaft më të pranueshme dhe, ajo çka është më e rëndësishme, loja e skuadrës së menaxhuar nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Ilir Taflaj, dhe të drejtuar nga trajneri i ri, por ish-basketbollisti i mirënjohur shqiptar, Afrim Bilali, ka ardhur gjithnjë e në rritje.
Në fakt, ndeshja e sotme ka qenë një “zig-zag” i vërtetë, pasi fqinjët lindorë e kanë nisur më mirë lojën, duke e fituar bindshëm 10-minutëshin e parë, me rezultatin 20-11. Kjo dha përshtypjen e një fitoreje rutinë të maqedonasve, por kuqezinjtë kanë reaguar fuqishëm në 10-minutëshin e dytë, duke e fituar atë 26-17 dhe duke bërë që të dyja skuadrat të shkojnë në pushim të ndeshjes në barazheshë të plotë, 37-37. Në fak, kjo ka qenë edhe pjesa e ndeshjes ku janë shënuar më shumë pikë.
Pas daljes nga dhomat e zhveshjeve, beteja ka qenë më e ashpër dhe maqedonasit ia dalin ta fitojnë atë me rezultatin 22-17, duke marrë kryesimin pas një gjysmë ore lojë në shifrat 59-54. 10-minutëshi i katërt dhe i fundit ka qenë një betejë nervash dhe taktike dhe, ndonëse kuqezinjtë e fitojnë atë 17-15, kjo nuk mjafton për të shmangur humbjen me rezultatin e përgjithshëm 71-74.
Takimi i sotëm, ka qenë i barazpeshuar përgjatë gjithë kohës dhe kuqezinjtë i janë afruar shumë fitores, por, në fundi ajo u buzëqeshi fqinjëve lindorë. Ka qenë në fakt një ndeshje e jashtëzakonshme e Celis Taflajt, i cili realizoi 37 pikë e fitoi 11 topa në tabelë, më shumë se gjysma e pikëve të skuadrës, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen. Kjo edhe për arsye se mungoi mbështetja e pjesës tjetër të skuadrës, ku u dallua vetëm Strazimiri me 13 pikë.
Shqipëri – Maqedoni 71-74
(11-20, 26-17, 17-22, 17-15)
Shqipëria: Taflaj (37), Strazimiri (13), Qilimi (5), Gorea, Shaqiri, Haxhi, Tallushi, Lilaj (6), Sela (5), Zyka (3), Rakaj, Lekndreaj (2). Trajner: A. Bilali
Maqedonia: Srbinovski, Serafimov (8), Robev (9), Dimitrijevski (16), Pandev, Memed, Mitev, Efremovski, Dvojakovski (4), Mamuzikj (10), Georgiev (6), Maslinko (21). Trajner: S. Dimitrijeviç
Gjyqtarë: S. Beliakov (Rusi), R. Larsen (Danimarkë), M. Tsvetkov (Bullgari)