Gjergj Vyshka 27.01.2017 18:55
Shqipëria e Nën-18-vjeçarëve, djem, ka mësuar dje kundërshtarët e Divizionit B Kampionatit Evropian të kësaj moshe në basketboll. Ishte e vetmja kategori që nuk ishte hedhur, sepse kishte mbetur pa përfunduar edicioni i kaluar, që në fakt ishte vendosur të zhvillohej në Samsun të Turqisë, por ishte pezulluar për shkak të trazirave që lindën pas grushtit të shtetit.
E megjithatë, tashmë gjithçka është gati, ndërsa Shqipëria do të jetë në Estoni përballë skuadrës vendëse, Britanisë së Madhe, Suedisë, Holandës, Luksemburgut dhe Republikës së Çekisë. Për t’u kujtuar që, për të rritur, në periudhën 2-19 gusht kombëtarja do të jetë përballë Holandës dhe Austrisë. Ndërsa Nën-20-vjeçarët, djem, në Oradea të Rumanisë, nga data 15, deri më 23 korrik 2017 do të kenë kundërshtar Maqedoninë, Gjeorgjinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Rumaninë.
Duke vazhduar më tej për Nën-18-vjeçaret, femra, nga data 4, deri më 13 gusht 2017, në Dablin, Shqipëria do të jetë përballë Bjellorusisë, Gjermanisë, Danimarkës, Islandës e Austrisë. Po kështu Nën-16-vjeçarët, djem, në Divizionin C, ndeshjet e të cilit do të luhen në La Vela të Andorrës, nga data 23, deri më 30 korrik 2017, do të jetë përballë San Marinos, Azerbajxhanit, Andorrës e Monakos.
Dhe pjesëmarrjen në arenën ndërkombëtare e përfundon Kombëtarja e Nën-16-vjeçareve, femra, e cila në Divizionin B, ndeshjet e të cilit luhen në Shkup, përgjatë periudhës 17-26 gusht 2017, do të jetë përballë Sllovakisë, Britanisë së Madhe, Danimarkës, Zvicrës e Bosnje-Hercegovinës. E në këto kushte, Evropa e basketbollit 2017 për Shqipërinë është plotësisht e përvijuar.