Gjergj Vyshka 18.08.2017 08:50
Kapitullim me 61 pikë diferencë nga Zvicra, paratërejat po shkojnë si kombëtaret e tjera të basketbollit; më shumë humbje se sa fitore. Shqipëria e moshës deri në 16 vjeç, në basketboll për vajza, e ka nisur me disfatë aventurën e vet në Divizionin B të Kampionatit Evropian, që po i zhvillon ndeshjet në Shkup të Maqedonisë. Në ndeshjen e parë përballë Zvicrës, pas së cilës ka ardhur një humbje me 61 pikë diferencë, në shifrat totale 102-41, kombëtarja e vajzave, që drejtohet nga Valbona Sako dhe Xhuljeta Basha (Shestani), nuk ka dhënë asgjë të mirë.
Është dukur në pjesën e parë sikur skuadra është në fushën e lojës, ndërsa për një moment, Zvicra ka qenë vetëm 4 pikë përpara, në epërsi 13-9. Dhe e gjithë pjesa e parë ka përfunduar 22-13 për zviceranet. Mirëpo presingu i kundërshtarit, problemet në mbrojtje dhe në sulm, e bën Shqipërinë e Nën-16-vjeçareve që të dorëzohet dhe të shkërmoqet menjëherë. 30-16 pjesa e dytë dhe në total, në pushimin e madh, helvetet shkojnë duke kryesuar 52-29. Pjesa e 3-të është më e dobëta për vajzat kuqezi, aq sa me një rezultat të pjesshëm 10-0 zviceranet janë shkëputur në 62-29.
Dhe, duke e fituar pjesën e tretë 26-7, ato kanë thelluar në 78-36. 24-5 e katërta dhe në total 102-41, ndërsa përsëri nisja e Evropianit duket e vështirë për Nën-16-vjeçaret e Shqipërisë. Nuk duhet harruar se, edhe përpara dy vjetësh, më saktë më 13 gusht 2015, Zvicra pati fituar me 50 pikë diferencë, 79-29. Dhe, nëse kjo kombëtare nuk ecën, kur, në përgjithësi tek moshat, fitoret janë me pikatore dhe humbjet janë bërë rrugë, ky është faji i nivelit të basketbollit shqiptar. Që për hir të së vërtetës duhet pranuar se nuk premton me asnjë nivel, sidomos tek femrat.
Sot, Kombëtarja e Nën-16-vjeçareve për vajza, duke nisur nga ora 12:00, luan ndeshjen e dytë në Divizionin B, ndaj Britanisë së Madhe, por shanset duken të pakta për kthesë në rezultat.
Zvicër – Shqipëri 102-41
(22-13, 30-16, 26-7, 24-5)
Zvicra: Shardon (8), Kohler (18), Gul, Brushez (11), Luap (15) / Brouver (16), Konstantin (2), Valpen (2), Martinez (12), Zhakot (6), Marie (9), Gotshman (3). Trajner: V. Montini.
Shqipëria: Sinani (1), Rreshpja (15), Verri (10), Meço (3), Kraja (4) / Hasani, Lugaj, Çobo (2), Hametaj (6). Trajnere: V. Sako
Gjyqtarë: G. Sliviç (Austri), H. Hilke (Finlandë), S. Tislenko (Ukrainë)