Gjergj Vyshka 27.05.2016 17:05
Ka përfunduar dje pasdite në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” dita e dytë e përzgjedhjes së Kombëtares së Nën-16-vjeçarëve, e cila do të drejtohet nga Afrim Bilali dhe ndihmësit e tij Mikel Serbo dhe Henri Moja.
Siç dihet Shqipëria në basketboll për djem në këtë grupmoshë, do të marrë pjesë në Divizionin C, ndeshjet e të cilit do të zhvillohen në Nikozia të Qipros, nga data 17, deri më 24 korrik 2016.
Shqipëria do të jetë në grupin B përballë Gjibraltarit, Moldavisë, Armenisë dhe Andorrës. Sipas trajnerit të kuqezinjve, në seleksionim janë paraqitur 130 lojtarë nga të gjitha skuadra Nën-16-vjeçarëve. “Ditën e parë janë seleksionuar 75 basketbollistë për të cilën 20 kanë marrë viston për sot. Kurse dje kanë qenë 65 kandidatë nga të cilët janë kualifikuar 20 lojtarë. Të 40 këta basketbollistë do të bëjnë një stërvitje të përbashkët nga të cilët do të ketë një seleksionim përfundimtar për një kombëtare cilësore”, ka përfunduar Bilali, ndërsa të hënën e të martën do të jetë dita e U-20 për t’u seleksionuar.