Gjergj Vyshka 17.08.2016 11:35
Përkrah Presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, dhe Sekretarit të Përgjithshëm Korab Llazani, kanë qenë mbrëmë përpara mediave ndihmëstrajneri Afrim Bilali dhe kapiteni i kuqezinjve, Gerti Shima. “Dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Basketbollit për punën e kryer me ekipin kombëtar, – ka thënë ndihmëstrajneri i kuqezinjve, Afrim Bilali. – Hera e parë që bëhet një grumbullim kaq serioz, ndërsa nuk ka munguar asgjë. Çfarë është kërkuar nga lojtarët dhe stafi teknik është plotësuar.”
Sipas janë përballje të vështira, por që kombëtarja kuqezi do të kërkojë të paraqitet denjësisht. “Kemi punuar shumë për fazën mbrojtëse, e cila shpresojmë të jetë agresive, – e ka vijuar më tej bisedën e tij ish-basketbollisti i njohur. – Kemi punuar dhe për sulmin, por kemi dhe problemet tona. Mali i Zi është një kundërshtar më i përgatitur se ne, megjithatë shpresojmë që turnetë miqësor të na ndihmojnë për t’u rritur si skuadër.” Nga Bilali është kuptuar se nuk ka qenë e lehtë që për dyjavë të bëhet një skuadër solide.
“Ne kemi një gërshetim të lojtarëve të përvojës, apo atyre që kanë luajtur në kombëtare, me të ardhurit e rinj, – ka thënë ai. – Adaptimi nuk mund të vij për dy javë. Ka qenë një stërvitje e ngarkuar, kemi pasur probleme dëmtimi dhe lodhjeje. Megjithatë shpresojmë në një lojë dinjitoze, ndërsa për sulmin kërkohet kohë për të arritur atje ku duam.”. E duke qenë se janë gati 4-5 lojtarë të dëmtuar, që nga Hamati, Fasllija, Lekndreaj, Aliaj dhe Biberaj, shto këtu dhe lojtarët që nuk kanë ardhur, atëherë Kostantinides, së bashku me ndihmësat e tij, ka vendosur që këta 15 basketbollistë të përballojnë Eliminatoret.
“Këta 13 basketbollistë që shihni këtu do të jenë në Qipro. Shpresojmë në rikuperimin e Biberajt dhe Fasllisë dhe mund të ketë lëvizje. Por këto 15 lojtarë do të përballojnë Eliminatoret”, – ka përfunduar Bilali.