Nga Arben Imeri 06.03.2017 11:35
Franko kuqezi e me dy nënshtësi: “Unë jam shqiptar, jam krenar që jam i tillë dhe që mbroj ngjyrat e vendit tim në ndeshjet ndërkombëtare”. Me Franko Bushatin jemi takuar pas ndeshje që Breshia fitoi me Avelinon e vendit të dytë në Serinë A të Italisë. Si për të mos tradhtuar nofkën, edhe kësaj here, roli i tij në mbrojtje ishte shumë i rëndësishëm. Është i qeshur dhe nuk ka atë mimikën agresive dhe vështrimin luftarak, që e shoqërojnë kur në parket ka përballë kundërshtarët.
Tiparet e tij nga ana estetike ngjasojnë më shumë me fizionominë e ndonjë modeli, apo një aktori filmash, se sa me ato të një sportisti. “Kobra” Bushati, i datëlindjes 1985, 191 cm i gjatë, lindur në Tiranë, ka luajtur prej vitesh me radhë me kombëtaren shqiptare të basketbollit. Sot është shqiptari i vetëm që luan në kategorinë më të lartë të basketbollit italian, serinë A. “Por ka edhe djem të tjerë shqiptarë që fare mirë do mund të luajnë në serinë A”, – ndërhyn Franko.
“Unë jam më i vjetri në moshë dhe, më së fundi, pas shumë vitesh duke vrapuar në kampionatet e serisë B, arrita të realizoj ëndrrën time dhe të babait tim”. Franko është bir arti; babai i tij Pjerini ka qenë ndër basketbollistët më të mirë shqiptarë të viteve ’80, pjesëtar i Partizanit të famshëm të Zaçes, Mushit, Kuqos, Priftit, Çaçit, Lekës, Terihatit, etj, që ndeshej me sukses me skuadrat më të forta evropiane, si dhe lojtar titullar i kombëtare shqiptare. Ja dhe intervista e tij, e botuar në të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, që AlbanianSport.com jua soli këtu në 3 pjesë, dhe sot është pjesa e 3-të dhe e fundit.
…vijon nga dje
– Cili është slogani yt në lojë?
– Kam arritur çdo gjë me punë, sakrifica, disiplinë dhe egoizëm sportiv, ndaj mendoj se shprehja “mos u dorëzo kurrë”, më përshtatet më së miri.
– Çfarë do t’i këshilloje ndonjë të riu që do dëshironte të fillonte karrierën e basketbollistit?
– Asgjë të veçantë, përveç atyre mësimeve që më ka dhënë babai im si dhe trajnerët ndër vite: punë dhe disiplinë. Të kesh talent nuk mjafton, janë disiplina dhe stërvitja intensive ato që formojnë sportistin. Personalisht kam përfituar jo vetëm nga eksperiencat e shokëve të skuadrave ku kam luajtur, por edhe nga kundërshtarët me të cilët jam përballur. Gjithsesi, është gabim të mendohet se sporti në nivel agonistik është vetëm punë dhe lodhje. Përveçse, në ndeshje dhe stërvitje, me shokët e ekipit dëfrehemi edhe në kohën e lirë që ndajmë së bashku, sidomos kur udhëtojmë drejt qyteteve të tjera për vizitat e radhës. Dikur ndodhte më shumë kjo gjë, sot, shumë kohë na marrin iPhone-t apo iPad-et.
– Pse mban atlete të kuqe, supersticioz?
– Dhuratë e motrës për vëllain.
– Cilat janë pasionet e Bushatit, me se merret ai në kohën e lirë?
– Duke qenë profesionist, kohë të lirë kam shumë pak. Si gjithë moshatarët e mi më pëlqen të udhëtoj, të dëgjoj muzikë duke ngarë biçikletën, apo duke shëtitur qenin tim, Tamin, në një park plot gjelbërim, pranë lagjes ku banoj. Kur mbaron kampionati, në verë, i lejoj vetes ndonjë udhëtim… Ndjek shumë futbollin dhe jam tifoz i çmendur i Milanit dhe i kombëtares shqiptare. Për fat të keq, ndeshjet e kampionatit evropian të Francës i pashë nga televizori, sepse ato ditë qershori kisha finalet e play-off për t’u ngjitur në serinë A dhe nuk mund të lëvizja. Dua të them se himnin kombëtar e kam kënduar jo vetëm si lojtar basketbolli, por edhe si tifoz futbolli…
– Ti ke edhe nënshtetësi italiane, apo jo? Nuk bëre tifo për Italinë në evropian?
– Unë jam shqiptar, jam krenar që jam i tillë dhe që mbroj ngjyrat e vendit tim në ndeshjet ndërkombëtare. Edhe në kampionatin italian nuk ka më bukur se sa kur ti luan dhe syri të zë ndonjë flamur shqiptar në pallatet e sportit apo kur, pas ndeshjeve, dikush vjen dhe të përshëndet në gjuhën e nënës dhe të thotë se ka qenë tifoz edhe i babait tënd. Po shtoj edhe diçka për babain tim: plot herë kam takuar edhe trajnerë, apo ish-basketbollistë italianë që kanë luajtur kundra Partizanit në Tiranë dhe iu kujtohej jo vetëm loja befasuese dhe e shpejtë e Partizanit, por edhe tifozllëku i çmendur i shqiptarëve… Të dëgjosh fjalë të bukura për babain dhe shokët e tij nga specialistë të kalibrit të Valerio Biankinit, Ario Kostës apo Valter Manjifikos është vërtet mallëngjyese.
– Vjen shpesh në Shqipëri?
– Vij çdo verë, por do doja të vija edhe më shumë, sepse aty kam shokët dhe kujtimet e fëmijërisë. Shqipëria është shumë e bukur dhe kënaqem në plazhet e saj…