AlbanianSport.com 22.02.2017 16:15
Nysret Reka, Mjeshtri i Merituar i sportit, ish-basketbollisti i Lokomotivës dhe ekipit kombëtar sot mbush 70 vjeç. Pikërisht për t’i festuar datëlindjen një grup bashkohësish të tij, por dhe kuadrosh të lartë të sportit shqiptar, do të mblidhen në bar-restorant “Kolumbio” përbri shëtitores “Taulantia” në Durrës. E ndër ta që do të jenë në festimin e 70-vjetorit të lindjes së Nysret Rekës është dhe Mjeshtri i basketbollit shqiptar dhe të Partizanit, Agim Fagu.
Madje për këtë figurë të lartë të basketbollit durrsak dhe atij kombëtar është bërë iniciator e festimeve të 70-vjetorit të lindjes Bashkia Durrës duke e respektuar në radhë të parë si sportist e në radhë të dytë si qytetar. Nysret Reka në vitet 1964-1968 ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës në degën “Biologji-Kimi”.
E në këtë periudhë ka luajtur për Studentin duke qenë dhe kapiteni i këtij ekipi, sepse ishte e vetmja skuadër që mblidhte sportistët universitar në të gjitha disiplinat sportive. Por gjithashtu me ekipin kombëtar ka kontribuar dhe në turneun miqësor në Kinë. Pas mbarimit të studimeve, Reka është kthyer në Durrës dhe në periudhën 1968-1978 ka luajtur me Lokomotivën.
Pas përfundimit të karrierës sportive ka kontribuar si trajner. E për gjithçka që ka dhënë në basketbollin durrsak dhe atij shqiptar Redaksia e gazetës “Sport Ekspres” i uron Nysret Rekës: “Edhe 100 vjeç!”. Madje shpresohet që ai ta vazhdojë kontributin e tij për basketbollin durrsak, aq më tepër që Teuta tashmë e ka të ngritur sistemin “zinxhir” të ekipeve në të gjitha kategoritë e moshave.