Vllaznia në basketboll për meshkuj vijon të fitojë javë pas jave, duke shkuar të qetë drejt mbylljes së fazës së dytë në rivalitet të plotë me bardheblutë e Tiranës me të cilët do të zgjidhin gjithçka në betejën finale të fazës së “play-off”-it final të titullit. Në përballjen e mbrëmshme basketbollistët kuqeblu, të drejtuar nga dyshja Sarin-Gjeçaj, fituan ndaj Kamza Basket, 84-61.
Fitore kjo që tregon se shkodranët tashmë janë konsoliduar plotësisht në lojën e tyre. E megjithatë, si zakonisht, stafi teknik nuk shfaqet plotësisht i kënaqur me skuadrën. Sipas zëvendëstrajnerit Gjeçaj, skuadra paraqiti problem në 5-minutëshin e parë të fillimit të lojës dhe në pjesën e fundit. Por, pavarsisht kësaj ishte një fitore e merituar e Vllaznisë.
Publiku ka qenë i shumtë për të parë dhe debutimin e amerikanit Kris Oliver në Shkodër e Vllaznia vazhdon të fitojë në kampionat. Spikatjen më të madhe në këtë ndeshje e kishin Xhoshua Frilavë i Vllaznisë dhe Majk Vaqarrit i Kamza Basket, që ishin edhe shënuesit më të mirë të krejt ndeshjes me nga 14 pikë secili.
Vllaznia – Kamza Basket 84-61
(20-16, 27-7, 18-17, 19-21)
Vllaznia: Hamati, Bekteshi, Ndoja, Frilavë, Xhekson / Gjonaj, Bërdica, Arra, Palmer, Da. Lekndreaj, Do. Lekndreaj, Rakaj. Trajner: J. Sarin
Kamza Basket: Llazani, Çela, Vaqarri, Qeleshi, Birçaj / Laçi, Muhametaj, Koko, Koçishta, Oruçi, Gjoka. Trajner: A. Muhametaj
Gjyqtarë: M. Kasëmi (Vlorë), O. Kasmi, E. Allaraj (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 19-të
(25 mars 2017)
Të shtunën:
Tirana – Ardhmëria Basket 100-69
Vllaznia – Kamza Basket 84-61
Flamurtari – Teuta 41-69
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Tirana 19 17 2 1827-1270 36
- Vllaznia 19 14 5 1512-1266 33
- Teuta 19 13 6 1427-1309 31
- Kamza Basket 19 8 11 1404-1511 27
- Ardhmëria Basket 19 6 13 1313-1292 25
- Flamurtari 19 0 19 930-1766 19