AlbanianSport.com 15.01.2015 18:30
ASNN – Përveç një tjetër humbjeje, Vllaznia e Shkodrës ka shënuar mbrëmë një rekord negativ në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj, duke qenë ekipi me më së paku pikë të shënuara në një ndeshje të kësaj veprimtarie.
Basketbollistët shkodranë kanë shënuar vetëm 48 pikë në ndeshjen që e humbën në Mal të Zi, përballë vendasve të Mornarit të Tivarit, me rezultatin 48-79. Vllaznia po ashtu është skuadra e vetme në këtë Ligë që ka pësuar vetëm humbje në të gjashtë takimet e grupit B.
Ndeshjen e radhës ekipi i trajnerit Bledar Gjeqaj, e luan më 20 janar në Rumani ndaj Krajovës vendase, por pak ka gjasa që ta përmirësojë bilancin negativ në debutimin e saj në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj.
Pa të huajt Saralija, Gavraniç dhe Pajoviç, shkodranët e kanë pasur më shumë se sa të mundur që të jenë të barabartë me malazezët. E kanë nisur shpejt ndeshjen vendësit, të cilët në pjesën e parë kanë fituar me 13 pikë diferencë, 21-8.
Përtej përpjekjeve të Vllaznisë për të ngushtuar, ndërsa në pjesën e dytë kanë luajtur si të barabartë, në fund janë malazezët që kanë fituar 16-15 dhe në pushim rezultati është 37-23.
Sërisht edhe pjesa e tretë është e ngushtë në epërsi për vendësit, por Mornari kryeson 54-36. Dhe ajo që i ka vënë vulën suksesit është pjesa e katërt e ndeshjes, e cila është fituar nga Mornar 25-12 dhe në fund 79-48 për vendësit.
Deri më tani janë mundur dy herë nga prishtinasit e SIGAL-it, 59-85 dhe 78-88. Janë mundur nga rumunët e Krajovës, me të cilën do të luajnë në fushë të huaj, më 20 janar, 72-75.
E po kështu janë mundur nga maqedonasit e Kozuvit, 52-88, me të cilën më 28 janar po në fushë të huaj do të mbyllin dhe pjesëmarrjen e tyre në Ligën Ballkanike. Dhe ajo që “djeg” akoma tek shkodranët është fakti i humbjes në “tavolinë” me malazezët e Mornarit, me të cilën u ndeshën mbrëmë, sepse nuk funksiononte tabela elektronike.
Por edhe sfida e mbrëmshme ka rezultuar një fiasko, ndonëse duhet theksuar se, që në fillim të këtij edicioni të kësaj veprimtarie rajonale, drejtuesit e basketbollit shqiptar kishin vënë më tepër theksin te fitimi i përvojës, sesa te arritja e rezultateve.