Një ndeshje pa emocion ishte ajo e luajtur mbrëmë në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës mes Vllaznisë dhe Flamurtarit në basketboll për meshkuj. Themi pa emocion pasi në fushë kishte vetëm një skuadër, ajo e Vllaznisë, e cila për asnjë moment nuk pati as më të voglin ngacmim nga kundërshtari. Vetë humbja e pësuar me 62 pikë diference tregon qartë atë çfarë ka ndodhur në këtë ndeshje.
Përballë një skuadre nën nivelin e saj, skuadra kuqeblu, jo vetëm që përfitoi të fitonte thellësisht, por, në të njëjtën kohë, trajneri Bledar Gjeçaj pati mundësinë të aktivizonte lojtarët e stolit. Epërsia e kuqebluve është parë të jetë e pranishme që në minutat e para të pjesës së parë, ndërsa ka fituar 26-10 dhe këtu ka nisur shkëputja e kuqebluve vendas.
Më vonë duke fituar edhe 3 pjesët e tjera, përkatësisht 24-10, 30-12, 15-13, do të vinin duke u thelluar suksesin, aq sa në fund do të regjistroheshin shifrat 106-44 për Vllazninë. Për trajnerin Gjeçaj, skuadra e të cilit vjen pas humbjes në javën e parë në fushë të huaj me Tiranën, përballja me vlonjatët e Flamurtarit ishte, praktikisht, thjesht një stërvitje.
Në pronocimin e tij të pas ndeshjes për “Sport Ekspres” ai bëri të ditur se javën e ardhshme që do të luajë sërishmi brenda dhe se përballë do të ketë skuadër që duhet pasur në konsideratë, siç është Ardhmëria Basket, e cila në këtë kampionat është forcuar me basketbollistët cilësorë. Sipas tij. Vllaznia do të ketë një paraqitje në rritje dhe se me afrimin e sponsorëve, që për momentin janë larguar, skuadra do të ketë pamje tjetër
Vllaznia – Flamurtari 106-44
(26-10, 24-10, 30-12, 15-13)
Vllaznia: Bërdica, Ndoja, Shabani, Da. Lekndreu, Do. Lekndreu / Taraboshi, Selimi, Rrashketa, Faslia, Rakaj. Trajner: B. Gjeçaj
Flamurtari: Toska, Sotiri, Kollovi, Nuredini, Gani / Kasimi, Liçaj, Lilaj, Bacaj, Dede. Trajner: V. Birçaj
Gjyqtarë: A. Dulçe, A. Bejko, Y. Harasani (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Kalendari i javës së dytë:
(21 tetor 2016)
Të premten:
Vllaznia – Flamurtari 106-44
Ardhmëria Basket – Teuta 67-73
Kamza Basket – Tirana 66-86
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Tirana 2 2 0 168-131 4
- Teuta 2 2 0 161-132 4
- Vllaznia 2 1 1 171-126 3
- Ardhmëria Basket 2 1 1 142-104 3
- Kamza Basket 2 0 2 131-174 2
- Flamurtari 2 0 2 75-181 2