Gjergj Vyshka 02.06.2016 08:45
Vllaznia në basketboll për meshkuj është “kampione” e Shqipërisë për herë të 9-të, ndërsa në sezonet e fundit numëron titullin e tretë radhazi. Ky ka qenë përfundimi i sezonit 2015-2016 në basketboll për meshkuj, që në fakt ka qenë i pritshëm përtej dëshirës së madhe të Teutës për të bërë surprizën. Mirëpo Vllaznia jo vetëm falë përvojës së lojtarëve, por dhe strategjisë së trajnerit Bledar Gjeçaj ia ka arritur të jetë “kampione” e Shqipërisë.
Nuk ka pritur të shtunën për ndeshjen e 5-të në Pallatin e vet të Sportit, “Qazim Dervishi”, por gjithçka e ka mbyllur në Durrës si për të thënë se nuk duhet vetëm dëshirë për të qenë “kampion”, por më së shumti aftësi. Që nga kapiteni Bërdica për të vijuar më pas me radhë tek Gjonaj, Alen, Faslija, Xhokoviç, Arra, Taraboshi, Ndoja, Bekteshi, vëllezërit Lekndreaj, Shabani, të gjithë janë kontribuues në këtë titull të 9-të të Vllaznisë.
Që pas humbjes së Kupës së Shqipërisë dhe Superkupës së Shqipërisë është mbyllja më e mirë për sezonit. I duhet thënë “Të lumtë!” edhe Teutës për përpjekjet e saj për ta vënë në ekuilibër finalen. Por ndonjëherë fitojnë ato që janë mësuar me të tilla trofe. E megjithatë kjo është rilindja e basketbollit durrsak, ndërsa trofeun e kampionit kapitenit Bërdica ia ka dorëzuar presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, së bashku me Drejtorin e Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, apo dhe Sekretarin e Përgjithshëm të FSHB-së, Korab Llazani.