AlbanianSport.com 22/05/2019 16:30
ASNN – Presidenti Xhaferri prezanton trajnerin Gospodinov, përvijohet një projekt afatmesëm. Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka prezantuar trajnerin e ri të saj dhe ai do të jetë bullgari Nikolai Gospodinov. Ndonëse sezoni i basketbollit të meshkujve sapo është mbyllur, duket se Vllaznia ka nxjerrë mësime nga fakti që vuajti deri në fund për të siguruar mbijetesën midis më të mirëve të koshit shqiptar.
Për këtë arsye, Presidenti i Shoqatës së Basketbollit Vllaznia, Alban Xhaferi, ka nisur që tani punën për sezonin e ardhshëm dhe gjithçka nis nga trajneri. Xhaferri e ka vlerësuar lart trajnerin bullgar, Nikolai Gospodinov. Më tej, trajneri Gospodinov ka përvijuar pritshmëritë e tij me ekipin kuqeblu. “Shkodra është një qytet i bukur, kemi pasur shumë takime”, – ka deklaruar fillimisht ai.
“Ka shumë njerëz pozitiv dhe impresionet e para janë pozitive, – ka vijuar Gospodinovi. -Shumë prej lojtarëve nuk janë në gjendje të mirë fizike edhe pse ka përfunduar kampionati prej 2-3 javësh. Jemi në një proces përzgjedhjeje të lojtarëve. Loja mes grupit ishte për të parë më shumë gjendjen e lojtarëve sepse vetëm një herë jam takuar me to.”
“Por na duhen 2-3 lojtarë të huaj në merkato për sezonin e ri, që të bëjnë diferencën në ekip, – theksoi bullgari. – Gjithashtu, do të përfshijmë në ekip edhe një lojtar nga Nën-18-vjeçarët, që të rrisim cilësinë e skuadrës hap pas hapi. Në të kaluaren, Vllaznia ka qenë ndër skuadrat më të mira në Shqipëri dhe shpresoj që të kapim të njëjtin nivel, edhe pse s’ka për të qenë e lehtë, duke marrë parasysh se ka skuadra si Teuta e Goga Basket.”
Si presidenti shkodran, ashtu edhe trajneri bullgar, kanë ideuar një projekt më afatgjatë për Vllazninë. “Mendoj se me idetë e mija, Presidentin Xhaferi dhe Sekretarin Dibra të arrijmë diçka pozitive tek Vllaznia, – tha Gospodinovi. – Do mundohemi të ndihmojmë edhe ekipin e Nën-18-vjeçarëve dhe të përfshijmë lojtarë vendas në ekipin e parë. Skuadra jonë e të rriturve duhet të jetë konkurruese.”
“Shpresoj që pallati i sportit të jetë i mbushur me tifozë dhe të mbështesin skuadrën, – ka theksuar trajneri i ri i Vllaznisë. – E di që tifozët shkodranë janë ndër më të mirët në Shqipëri dhe lojtari i 6-të për skuadrën. Ne nuk jemi magjistarë që të bëjmë direkt për disa muaj ekipin pretendentë. Por, unë premtoj se do të mundohemi të bëjmë më të mirën, një ekip profesionist në lojtarë dhe çdo gjë.”
“Nëse jemi të gjithë bashkë, më besoni se brenda 1 apo 2 vitesh, Vllaznia do të jetë në rrugë të drejtë”, – ka premtuar trajneri i ri i Vllaznisë së basketbollit të meshkujve, bullgari Nikolai Gospodinov.