Gjergj Vyshka 24.07.2017 07:00
Dardan Berisha “snajperi” i kosovarëve, 25 pikë të shënuara, shtatë 3-pikësha në 11 tentativa ndaj koshit kuqezi, i vështirë për t’u mbuluar. Kosova në basketboll për meshkuj i ka dhënë një tjetër leksion Shqipërisë, teksa mbrëmë e ka mundur edhe në miqësoren e dytë, që është luajtur në Sallën Sportive “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës, me shifrat 72-90.
Dardan Berisha mund të cilësohet “snajperi” i kosovarëve, teksa ka realizuar 25 pikë, shtatë 3-pikësha në 11 tentativa. Por i tillë ishte dhe Veseli me 20 pikë, apo dhe pjesa tjetër e Kosovës. Kuqezinjtë, edhe pse qiprioti Konstandinides pranon se janë në një gjendje më të mirë se sa vitin e kaluar, duket se kanë shumë probleme, që nisin që nga organizimi e vazhdojnë në sulm dhe në mbrojtje.
Për rrjedhojë hyjnë me shumë vështirësi në lojë, ndërsa vetëm Shima, apo dhe Hysenagolli, Dusha, Muça e Gjyzeli janë shumë pak. Shpresohet që deri më 2 gusht kur dhe të nisin ndeshjet e turit paraeliminator të Botërorit “Kinë 2019”, basketbollistët kuqezinj të jenë më ndryshe ndaj Austrisë dhe Holandës.
Shqipëri – Kosovë 72-90
(19-25, 14-31, 23-20, 16-14)
Shqipëria: Kovaçi (2), Hysenagolli (9), Shima (18), Dusha (11), Bushati (8) / Merkaj, Bërdica (2), Vaqarri, Gjyzeli (9), Muça (12). Trajner: A. Konstandinides.
Kosova: Kastrati (7), Hajrizi, Zekiqi, Shoshi (16), Morina (4) / Hajdari, Veseli (20), G. Rugova (2), Berisha (25), Grosha (2), F. Rugova (4), Mekaj (11). Trajner: B. Grinberg.
Gjyqtarë: Xh. Mumini (Kosovë), G. Hoxha, M. Kasemi (Shqipëri)