Nga Gjergj Vyshka 04.02.2017 15:55
Për shkak të rëndësisë së ndeshjes, Tirana-Vllaznia është gjykuar nga 3 prej gjyqtarëve më të mirë të basketbollit shqiptar. Bëhet fjalë për ndërkombëtarin Gentian Cici (13 ndeshje në Ligën e Kampioneve, 4 në “Fiba Europe Cup” dhe 2 në Euroligën e femrave dhe për javë në Kupat e Evropës për këtë sezon), ndërkombëtarin tjetër Ervin Koçi (12 ndeshje në Ligën Ballkanike këtë sezon) dhe kandidatin për ndërkombëtar Gilbert Hoxha.
Një gjykim në nivel, me tepër elegancë dhe aspak të kontestuar nga palët që ishin në fushë. Kontroll i të gjithë situatës së fushës nga të 3 gjyqtarët, veçanërisht Cici që shihej gjithnjë jo vetëm në mbarëvajtje të ndeshjes, por dhe në komunikim të vazhdueshëm me tavolinën dhe komisarin e takimit, ish-ndërkombëtarin Jorgji Shundi. Në total, edhe pse mund të ketë pasur ndonjë dyshim në vendimet e tyre, ka qenë një gjykim i përsosur i supersfidës Tirana-Vllaznia.
Ndërsa të gjitha palët kanë mbetur më shumë se sa të kënaqur. E basketbolli shqiptar ka nevojë për të tilla gjykime për të vërtetuar edhe një herë se gjyqtarët e basketbollit, si qenie njerëzore, gabojnë pa dashje dhe se janë klubet, apo trajnerët, që për të mbuluar defektet e veta kërkojnë ta gjejnë tek gjyqtarët, madje duke kërkuar dhe me mënyra të tjera atë që është e padrejtë. Treshja Cici-Koçi-Hoxha ishin padyshim një nga bukuritë e supersfidës Tirana-Vllaznia.