Gjergj Vyshka 08.12.2016 07:05
MKK Feni Industries ka rezultuar përsëri “kockë e fortë” për Tiranën në basketboll për meshkuj në kuadrin e Ligës Ballkanike. Edhe pse janë rikthyer në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”, të mbiquajtur ndryshe me përkëdheli si “Shtëpia e Kampioneve”, tashmë me një tjetër pamje, bardheblutë duket se nuk e kanë pasur shansin me vete.
Emocionet e rikthimit, prania afër e tifozëve krahasuar me sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” po në kryeqytet, mund t’i kenë ngarkuar emocionalisht tiranasit, të cilët kanë luajtur një ndeshje me dy fytyra. Mirëpo edhe pse kështu, teksa në fund të dy pjesëve të para kanë qenë një disavantazh prej 26 pikësh, bardheblutë kanë tentuar përmbysjen.
Janë afruar deri në 6 pikë diferencë, por më tej nuk ka ndodhur mrekullia si me kosovarët e Pejës. E një humbje e tillë, pavarësisht se për të gjithë ka qenë një ndeshje e pëlqyeshme, duket sikur janë komplikuar objektivat për të kaluar në turin e dytë të Ligës Ballkanike.
Ndonëse kanë dy ndeshje për të luajtur në shtëpi ndaj Sutjeskës dhe Karposh Sokolit dhe vizitën e fundit ndaj Pejës. Ndaj shpresat nuk kanë humbur.
Liga Ballkanike – BIBL 2016
Basketboll – Meshkuj
Grupi B
Java e 7-të
(7 dhjetor 2016)
Tirana – MKK Feni Industriers 63-72
Peja – Sutjeska Nikshiq 76-74
Karpos Sokoli – Trepca Mitrovicë 85-69
Renditja
Nr Skuadra N F H Psh-Pp Pikë
- MKK Feni Industries 6 4 2 471-405 10
- Sutjeska Nikshiq 6 4 2 482-424 10
- Tirana 7 3 4 484-532 10
- Trepça 6 2 4 414-462 9
- Karposh Sokoli 7 2 5 518-589 9
- Peja 4 3 1 321-287 7