Gjergj Vyshka 04.10.2015 09:35
Tirana e basketbollit të meshkujve është me staf të ri, ndërsa trajnerë të skuadrës tashmë janë Onaldo Ago dhe Adrian Selmani. Por në fakt kryetrajner është Roland Avrami, i cili edhe duke qenë trajneri i femrave të Kamza Basket, ndërsa nuk ka hequr dorë nga ajo skuadër, ka qëndruar dje pas stolit të rezervave. Por ka qenë ai që ka këshilluar dhe orientuar skuadrën, ndërsa të enjten pasdite shefi i ri i klubit bardheblu, Pirro Koleka, e ka prezantuar para skuadrës.
Vetëm se zyrtarisht në letra figurojnë Ago e Selmani në krye të bardhebluve, të cilët dje e kanë pasur më shumë se sa të vështirë përballë Teutës. Kalaja, me një eksperiencë teknike në Itali, mbështetur fort tek Llazani e Ndreko, pa harrua dhe përvojën e Sukajt, ka arritur t’i bëjë rezistencë bardhebluve. Tirana me shumë vështirësi ka fituar pjesën e parë, 21-20.
Por në të dytën Llazani, që është shënuesi më i mirë i Teutës me 27 pikë, nuk ka falur. Teuta ka fituar 14-18 dhe në dhomat e zhveshjes ka shkuar me epërsinë 35-38. Epërsi që ka ardhur duke u thelluar dhe atëherë kur duket se Teuta e ka vënë nën administrim ndeshjen, Tirana shkundet, zgjodhet dhe kthen lojën. Vaqarri me katër 3-pikëshat e tij, Lasku, Gjonaj, Vogli, Jani e të tjerët e kanë fituar pjesën e tretë 20-10 e në total 55-48.
Teuta nuk lëshon, ndërsa deri në momentet e fundit ka qenë në kërkim të përmbysjes së avantazhit. Kalaja i ka kërkuar të luajnë me faulla në sekondat e fundit, por pikërisht në fund humbet Ndrekon me pesë gabime personale, kurse Tirana nuk fal dhe në fund 80-74 për bardhebluve.
Tirana – Teuta 80-74
(21-20, 14-18, 20-10, 25-26)
Tirana: Gjonaj (17), Jani (10), Lasku (23), Gjyzeli (2), Lilaj (6) / Vogli (7), Vaqarri (12), Sukaj (3). Trajner: O. Ago
Teuta: Aliaj (11), Gorea (5), Llazani (28), Ndreko (17), Skilja (2) / Isaku (5), Pasha (2), Thana (4). Trajner: Xh. Kalaja
Gjyqtarë: G. Cici (Tiranë), E. Hoxhaj, M. Kasëmi (Vlorë)