Gjergj Vyshka 16.01.2015 08:00
Trajneri i kosovarëve Berisha ankesa për gjykimin, ndërsa në kohën shtesë heq amerikanët. Gjonaj e Jani bëhen promotorët e fitores së bardhebluve, Shehu i kënaqur me të tijtë. Tirana në basketboll për meshkuj tashmë i ka kaluar kufinjtë e vendit tonë, ndërsa duke fituar dje në mbrëmje miqësoren me kosovarët e “Golden Eagle” Ylli, skuadra e ardhur nga Theranda, duket se jep shenja se e denjë mund të jetë dhe në arenën ndërkombëtare.
Mirëpo ajo që duhet të ketë më shumë skuadra e drejtuar nga Bujar Shehu për të qenë fituese në ndeshje të vërteta të një niveli të tillë, gjë që deri më tani nuk e ka bërë Vllaznia në Ligën Ballkanike, duhet të ketë më tepër besim. Sepse edhe duke qenë në një diferencë prej 13 pikësh në epërsi, sidomos në fund të dy pjesëve të para, 50-37, apo dhe më pas 11 pikë diferencë në fillimin e pjesës së tretë, 52-41, bardheblutë e ulin ritmin dhe vëmendjen.
E sigurisht që ka përfituar kundërshtari, i cili me tre amerikanë Uashington, Uajt e Hamudru ka ditur jo vetëm të barazojë, por dhe në momente të caktuar të dalë dhe në epërsi. Tirana është në lojë, sepse Gjonaj si basketbollisti më i mirë i vitit 2014, apo dhe Jani e Vogli, e marrin përdore skuadrën për ta çuar tek koshi. Me trepikësha, por dhe të saktë në gjuajtjet për dy pikë dhe ato të lira, Tirana përsëri në fund të pjesës së tretë është në epërsi 65-63.
Edhe gjatë pjesës së katërt është në epërsi, por “Golden Eagle” Ylli barazon në 77-77 e nuk ka më kohë. Ndeshja do kohën shtesë për të caktuar fituesit. Në shtesë, teksa është dhënë dhe një gabim teknik për kosovarët, trajneri i “Golden Eagle” Ylli, Alban Berisha, i pakënaqur me gjykimin, heq amerikanët dhe të gjithë lojtarët e tij më të mirë. Sigurisht që pjesa tjetër e kësaj skuadre nuk mund të ishte e atillë që të rivalizonte Tiranën.
Bardheblutë godasin, ndërsa në fund është shënuar një fitore e rëndësishme për skuadrën e Bujar Shehut, 87-81, që do t’i japë më tepër zemër në përgatitjen e pjesës së dytë të kampionatit. Pse jo dhe të kthehen tek trofeu më i rëndësishëm që është titulli “kampion”. “Golden Eagle” Ylli është shoqëruar dhe nga 20 tifozë të saj, sikurse dhe nga një kamera amatore dhe një fotograf. Madje drejtori i klubit të Golden Eagle Ylli ka dhënë dhe një pllakatë në shenjë miqësie për klubin shumësportësh “Tirana”, të cilin e ka marrë drejtori i saj, Sokol Kasmi.
Tirana – Golden Eagle Ylli 87-81
(24-17, 26-20, 15-26, 12-14 / 10-4)
Tirana: Jani (26), Vogli (13), Vaqarri (2), Gjyzeli (11), Gjonaj (33) / Hasani (2), Roshi. Trajner: B. Shehu
Golden Eagle Ylli: Uashington (13), Gashi (6), Uajt (23), Hamudru (8), Zenelaj (12) / Nushi (13), Hysenaj, Fetiu (2), Berisha, Qollaku (4), Kuqi, Hajdari. Trajner: A. Berisha
Gjyqtarë: G. Hoxha, O. Kasmi, E. Tiko (Tiranë)